“Më kanë ngrënë mbi 600 zogj”/ Banorja e Gradishtës në alarm: “Dhelprat po na shkatërrojnë minifermën, ku të ankohemi?”

Lushnje – Një situatë shqetësuese është denoncuar nga një banore e Gradishtës, e cila thotë se prej muajsh po përballet me sulme të përsëritura të dhelprave ndaj minifermës së saj. Sipas saj, vetëm gjatë këtij viti kafshët e egra kanë vrarë më shumë se 600 zogj, duke i shkaktuar familjes një dëm të konsiderueshëm ekonomik.
Banorja tregon se minifermën e vogël e ka ngritur për të siguruar të ardhura dhe ushqimin e familjes, por sulmet e vazhdueshme të dhelprave po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë mbajtjen e saj.
Përmes një mesazhi të dërguar në redaksi, ajo kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse, duke ngritur shqetësimin se banorët e zonave rurale po përballen me probleme për të cilat, sipas saj, nuk po marrin një zgjidhje konkrete.
“Më kanë ngrënë sivjet më shumë se 600 zogj, gati për t’i therur. Ku të ankohemi ne, ku të trokasim?”, shkruan banorja.
Ajo apelon për Bashkinë Divjakë dhe strukturat përgjegjëse për faunën e egër që të verifikojnë situatën në terren dhe të përcaktojnë se çfarë masash ligjore mund të merren për mbrojtjen e fermave dhe shpendëve, pa cenuar kafshët e egra.
“Kam një minifermë të vogël ku mundohemi të mbijetojmë, sepse të themi që po jetojmë, gënjejmë. Çfarë të bëjmë me dhelprat që janë bërë si të buta?”, shprehet ajo.
Rasti ngre edhe një problem më të gjerë për banorët e zonave rurale, të cilët mbështeten te aktivitetet bujqësore dhe blegtorale për të siguruar të ardhurat familjare. Familja kërkon që institucionet të mos mjaftohen vetëm me konstatimin e problemit, por të ofrojnë një zgjidhje konkrete dhe ligjore.
“Ju lutem, i bëjmë thirrje shtetit të kthejë ndonjëherë kokën nga fshatrat që po braktisen çdo ditë e më shumë”, përfundon denoncimin banorja.









