AKTUALITETTOP-NEWS

Arrestohet 45-vjeçari i dyshuar për vrasjen e nënës dhe plagosjen e rëndë të babait në Lushnjë

Lushnje – Një ngjarje e rëndë ka tronditur mbrëmjen e sotme fshatin Zhym, në njësinë administrative Krutje të Bashkisë Lushnjë, ku një grua dyshohet se është vrarë dhe bashkëshorti i saj është plagosur rëndë nga djalini tyre 45 vjeçar i sëmurë me të meta mendore.

Sipas burimeve policore, autor i dyshuar i ngjarjes është 45-vjeçari Florian Dalladaku, i cili dyshohet se ka sulmuar me një mjet metalik  sqepar nënën e tij Fanie Dalladaku 80 vjeçare, duke i shkaktuar vdekjen, ndërsa ka plagosur rëndë edhe babanë Hasan Dalladaku 77 vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:30. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor dhe ekspertët kriminalistikë kanë nisur veprimet për dokumentimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Pas krimit, 45-vjeçari dyshohet se është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka organizuar menjëherë kontrolle dhe postblloqe në disa akse rrugore, duke bërë të mundur kapjen e tij rreth një orë më vonë nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.

Babai i 45-vjeçarit, i cili ka marrë plagë të rënda, është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore dhe, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, është nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Burime paraprake bëjnë me dije se 45-vjeçari dyshohet se ka pasur probleme të shëndetit mendor, por rrethanat dhe motivet e sakta të ngjarjes pritet të përcaktohen gjatë hetimeve.

Policia ka shoqëruar autorin e dyshuar dhe po vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes, ndërsa materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Lushnjë/ Kapet një orë pas ngjarjes autori i dyshuar i vrasjes së nënës dhe i plagosjes së babait.


Autori i dyshuar u kap duke drejtuar automjetin e vëllait, në tentativë për të dalë nga qarku Fier.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Zhymë, Lushnjë, ju informojmë se:

Menjëherë pas ngjarjes, forca të shumta të Policisë rrethuan zonën, ngritën pika kontrolli dhe u vunë në ndjekje të autorit, i cili paraqiste rrezikshmëri edhe për banorët e tjerë.

Si rezultat i reagimit të menjëhershëm dhe angazhimit të shërbimeve të Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe Komisariatit të Policisë Lushnjë, u bë i mundur lokalizimi i autorit të dyshuar, pranë Spitalit Memorial, Fier, dhe vënia në pranga e tij, rreth një orë pas ngjarjes.

Shtetasi F. D., 45 vjeç, është shoqëruar në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, së bashku me automjetin që drejtonte, ku po kryhen veprimet procedurale.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button