Ishte shpallur në kërkim, arrestohet Ergys Agasi

Arrestohet Ergys Agasi.
Biznesmeni Agasi është arrestuar teksa po udhëtonte në një automjet. Arrestimi i tij u bë sot në qytetin e Elbasanit, informon gazetari i Syrit, Fatjon Gjinaj.
Prokuroria e Posaçme akuzon biznesmenin Ergys Agasin dhe Ermal Beqirajn se në bashkëpunim me ish drejtuesen e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj krijuan një grup të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderëve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, edhe përmes dhunës dhe pengmarrjes.
Agasi dhe Beqiraj i shpëtuan arrestimit në dhjetor 2025, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t u vendos fillimit në “arrest shtëpie”, por kjo masë i’u hoq nga Gjykata e Lartë afro një muaj më parë.
Ndërkohë Ermal Beqiri u arrestua disa ditë më parë pasi fluturoi me avionin e tij mbi centralin bërthamor të Penly të Francë. Ai vazhdon të mbahet në burgun e Beauvais, ndërsa pasuritë e tij në Francë janë vënë nën vëzhgimin e autoriteteve.
Ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj në intervistën për Çim Peka Live denonconte Ergys Agasin si ndërmjetësi i Ramës me grupin e Troplinëve.
Gazetari i Syrit, Fatjon Gjinaj informon se Agasi në momentin e arrestimit shoqërohej nga Uljan Shpataraku ish drejtues në polici, i njohur si krahu i djathtë i ish-kryepolicit Ilir Proda.
Biznesmeni Ergys Agasi i cili akuzohet se ishte pjesë e grupit të strukturuar kriminal për manipulimin e tenderave të AKSHI-t ishte në makinë me ish-efektivin e Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, në momentin kur është arrestuar. Mësohet se prangosja e tij është bërë nga operacionalja e Durrësit pranë Plepave.
Ndërkohë vetë Uljan Shpataraku, ish-drejtori i policisë së Elbasanit, i njohur si krahu i djathtë i ish-kryepolicit Ilir Proda, ishte në kërkim nga komisariati i Dhërmit për kanosjen e një kamarieri.
Më 6 gusht Policia e Himarës kishte shpallur në kërkim ish-zyrtarin e Policisë, Uljan Shpataraku. Ky i fundit ndodhej me pushime në një hotel në Dhërmi, por nuk i ka pëlqyer shërbimi dhe ka patur një konflikt verbal me kamerierin dhe administratorin. Sipas dëshmisë së tyre, Shpataraku i ka kërcënuar me jetë. Stafi i hotelit ka bërë kallëzim pranë Komisariatit të Himarës ku blutë kanë shpallur në kërkim ish-zyrtarin e policisë.
Ndërkohë pak javë më parë, Shpataraku ka paditur Policinë e Shtetit, pasi u shkarkua nga detyra në muajin maj të vitit 2026. Vendimi për largimin e tij u firmos nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Sipas argumentimit të institucionit, Shpataraku u përjashtua nga radhët e policisë me pretendimin se nuk paraqitej në punë. Ndërkohë, sipas të dhënave të bëra publike, gjatë kësaj periudhe Shpataraku ishte duke ndjekur studimet master në Akademinë e Sigurisë.










