
Agron Prifti i lindur në Fier më 4 prill 1959, Agron Prifti, ka qenë një prej sportistëve dhe trajnerëve të suksesshëm të Klubit Sportiv Apolonia. Si sportist, karriera e tij nisi në vitin 1977, kur qysh në prezantimin e parë do të shpallej kampion i vendit, në Kampionatin Kombëtar të peshëngritjes për të rinj, zhvilluar në Vlorë.
Deri në shkëputjen e parakohshme nga sporti në vitin 1984, ai ishte shpallur edhe pesë herë të tjera kampion kombëtar, për të rinj dhe të rritur. Ndërkohë me përfundimin e studimeve në Institutin e Lartë të Kulturës Fizike ‘’Vojo Kushi’’, në Tiranë, Agron Prifti, do të niste punën si trajner i peshëngritjes së ekipit të Apolonisë.
Një aktivivitet të cilin do ta kryente në harkun kohor të viteve 1984-1991. Gjatë kësaj periudhe, dy nga prioritet e punës tij do të ishin: përgatitja e sportistëve elitarë dhe fitorja e trofeve në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Kështu, në Spartakiadën e pestë Kombëtare të zhvilluar në vitin 1987, ekipi i Apolonisë do të renditej i treti, ndërsa sportistët e tij medalistë do të ishin: Ilir Kafarani, fitues i tre medaljeve të arta, Riza Fejzullai, me dy medalje të argjenda dhe Kujtim Lamçe, fitues i një medalje bronzi.
Po kështu, peshëngritësi Genci Braka, do të fitonte një tjetër medalje bronzi, në Kampionatin Ballkanik për të rinj, zhvilluar më 1988 në Turqi.
Ndërsa, arritjet më të mëdha të rezultateve të punës së tij, do të ishin me sportistin Ilir Kafarani, rekorde që vijojnë edhe sot të mbahen prej tij.


Të tilla mund të përmendim shpalljen kampion kombëtar në vitin 1988 dhe në vazhdim, kampion i Ballkanit (1988) dhe nënkampion Europe në vitin 1989./ TV Apollon








