BOTA

Humbasin jetën tre fëmijë shqiptarë nga zjarri në ShBA

Një ngjarje e rëndë dhe me pasoja tragjike ka goditur një familje shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Tre fëmijë kanë humbur jetën, ndërsa dy fëmijë të tjerë dhe dy të rritur ndodhen në spital në gjendje kritike për jetën, si pasojë e një zjarri shkatërrues që përfshiu banesën e tyre dykatëshe në Jacksonville, Florida.

Tragjedia ndodhi rreth orës 05:15 të mëngjesit të së mërkurës. Shefi i Departamentit të Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Jacksonville, Percy Golden, bëri me dije se ekipet e emergjencës mbërritën brenda pak minutave, ku u përballën me flakë masive në katin e parë dhe tym të dendur në katin e dytë.

Përpara mbërritjes së zjarrfikësve, dy të rritur kishin arritur të dilnin nga shtëpia së bashku me dy fëmijë. Dëshmitarët dhe fqinjët e zonës treguan momente dramatike nga përpjekjet për t’i shpëtuar: disa banorë arritën të prisnin në ajër një foshnjë dhe një të rritur, të cilët u hodhën nga dritarja e katit të dytë.

Pavarësisht ndërhyrjes, gjatë kontrollit brenda banesës ekipet e shpëtimit gjetën pa shenja jete tre fëmijët e tjerë. Të afërmit e familjes me origjinë nga Shqipëria konfirmuan për mediat vendase se tre viktimat janë djem, ndërsa autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur moshën e tyre.

Flakët u vunë nën kontroll rreth orës 05:40, por shtëpia u shkatërrua tërësisht, ndërsa dëme patën edhe dy banesa ngjitur. Si pasojë e ngjarjes, Kryqi i Kuq Amerikan po strehon 13 persona (7 të rritur dhe 6 fëmijë) që mbetën pa strehë.

Përmes një reagimi zyrtar, Departamenti i Zjarrfikësve në Jacksonville shprehu ngushëllimet për këtë ditë të errët:

“Nuk ka fjalë që mund ta lehtësojnë peshën e një mëngjesi si ky. Mendimet tona janë me familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur, me të plagosurit, me ata që mbetën pa strehë dhe me zjarrfikësit që u përballën me këtë ngjarje tragjike.”

Autoritetet amerikane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkakun e shpërthimit të zjarrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button