Zjarr i madh në Tërbuq, flakët përhapen drejt Labovës së Madhe dhe Labovës së Vogël

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mesditën e sotme zonën e fshatit Tërbuq në Gjirokastër, pas djegies së një automjeti.
Drejtoria e MZSH-së Gjirokastër u njoftua rreth orës 12:39 nga Policia e Shtetit për automjetin që po digjej. Forcat zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendngjarje, por konstatuan se flakët kishin dalë jashtë kontrollit.
Era, së bashku me barin dhe shkurret e thata, favorizoi përhapjen e shpejtë të zjarrit në drejtim të Labovës së Madhe dhe Labovës së Vogël.
Për shkak të përmasave të flakëve, në terren është angazhuar i gjithë efektivi i MZSH-së Gjirokastër, i cili po vijon operacionin për izolimin dhe shuarjen e vatrave, me qëllim shmangien e përhapjes së zjarrit drejt zonave të banuara.







