AKTUALITET

Zjarri përfshin dhjetëra hektarë në Tepelenë, flakët kërcënojnë pyjet dhe tokat bujqësore

TEPELENË – Situatë e rëndë nga zjarri në Tepelenë, ku dhjetëra hektarë me pyje, ullishte, pemëtari dhe kultura bujqësore janë përfshirë nga flakët.

Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqet e prekura, ndërsa përhapja e flakëve vijon të përbëjë rrezik për zona të tjera.

Në terren ndodhet ekipi i MZSH Tepelenë, i cili po punon intensivisht për të vënë nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit.

Për shkak të sipërfaqes së përfshirë nga flakët dhe pranisë së pyjeve, ullishteve dhe tokave të mbjella, situata mbetet serioze dhe kërkon ndërhyrje të vazhdueshme nga strukturat e emergjencave.

Ndërkohë, Bashkia Tepelenë u ka bërë thirrje banorëve të zonës të tregohen maksimalisht të kujdesshëm, të shmangin afrimin pranë vatrave aktive të zjarrit dhe të zbatojnë udhëzimet e dhëna nga strukturat e emergjencës.

Për momentin, forcat zjarrfikëse vijojnë betejën me flakët, ndërsa mbetet prioritet izolimi i vatrave dhe shmangia e përhapjes së zjarrit në sipërfaqe të tjera.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button