AKTUALITETTOP-NEWS

“Nuk di të rri pa punë”/ 77-vjeçari që sfidon moshën, nga rafineria e naftës te fshesat e Semanit (Foto e video)

Fier – Në moshën 77-vjeçare, kur shumica e njerëzve kërkojnë të shijojnë vitet e pensionit, Pelivan Koçi vijon të punojë.

Pensioni nuk i mjafton për të përballuar muajin, ndaj bashkë me bashkëshorten merr karrocën dhe niset drejt bregdetit të Semanit. Atje mbledh shkurret që më pas i kthen në fshesa artizanale.
Është një zanat i trashëguar nga prindërit, por sot është kthyer edhe në një mënyrë për të siguruar disa të ardhura më shumë dhe për të përballuar jetesën.

Me karrocë e kal me të cilën 77-vjeçari Pelivan Koçi dhe bashkëshortja e tij nisin çdo ditë punën.
Destinacioni është bregdeti i Semanit.
Jo për shëtitje, por për të mbledhur lëndën e parë që do t’u japë formë fshesave tradicionale.

Pelivani ka punuar për vite në rafinerinë e naftës në Fier. Sot, pas daljes në pension, ai thotë se rreth 10 mijë lekë të reja në muaj nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet.
Kështu, një zanat i vjetër i familjes është bërë pjesë e përditshmërisë së tij.

“Është punë e lodhshme, por në fund kënaqemi kur punojmë dhe shesim. Nxjerrim diçka për nevojat tona dhe shtojmë buxhetin e familjes. Në këtë moshë mundohemi të nxjerrim muajin.”

Shkurret mblidhen një e nga një në bregdet dhe transportohen me karrocë.

Më pas nisin ditët e punës në shtëpi.
Bima lihet të thahet, përzgjidhet dhe ndahet në pjesë të barabarta. Me kujdes, përvojë dhe mjete të thjeshta, pjesët lidhen dhe marrin formën e fshesës.

As makineri, as linja prodhimi.
Vetëm duart e dy pensionistëve dhe një zanat i mësuar shumë vite më parë.

“E mbledhim në Seman, e sjellim dhe e thajmë. Pastaj e ndajmë në pjesë-pjesë të barabarta dhe e lidhim. Kur punojmë të dy bashkë, bëjmë deri në 50 fshesa në ditë.”

Një fshesë shitet nga 700 deri në 1 mijë lekë të vjetra.
Mund të duket pak, por për Pelivanin dhe bashkëshorten e tij çdo fshesë e shitur është një ndihmë për familjen.
Dhe tregu, sipas tij, nuk mungon.
Së fundmi, një biznesmen që ka një puleri u ka bërë një porosi prej 100 fshesash.

“Treg ka. Kemi njerëz që na njohin, kemi bërë edhe postime në rrjetet sociale dhe kemi lënë numrin e telefonit. Na kontaktojnë dhe kështu nxjerrim të ardhura.”

Prej më shumë se pesë vitesh, çdo sezon vere, nga maji deri në fund të shtatorit, Pelivani dhe bashkëshortja e tij i rikthehen këtij zanati.
Një punë që nis në bregdet dhe përfundon në duart e tyre, me dhjetëra fshesa të prodhuara çdo ditë.

Por pas kësaj historie nuk është vetëm nevoja për të ardhura.

Është edhe dëshira për të mos lejuar që një zanat i vjetër të humbasë.

“Ka edhe banorë të tjerë që merren me këtë punë, por të rinjtë nuk kanë shumë interes. Ata shikojnë gjëra të tjera. Ne do të donim që ky zanat të vazhdonte dhe t’u trashëgohej të rinjve.”

Në duart e Pelivan Koçit, shkurret e mbledhura në bregdetin e Semanit nuk janë thjesht një bimë që thahet në diell.
Ato janë punë.
Janë të ardhura.
Janë një zanat i trashëguar.

Por mbi të gjitha, janë një mënyrë për të ruajtur dinjitetin dhe për të mos u dorëzuar përballë vështirësive të jetës.
Në moshën 77-vjeçare, Pelivani nuk kërkon mëshirë.

Ai kërkon vetëm të punojë.
Dhe çdo mëngjes, bashkë me bashkëshorten, merr karrocën dhe niset sërish drejt Semanit. /ALB365/ Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button