60-vjeçari ndërron jetë në spital, po vuante dënimin në burgun e Fierit

Fier – Një 60-vjeçar, i identifikuar si Ardian Malasi nga Ballshi cili vuante dënimin në burgun e Fierit, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm në Spitalin Rajonal të Fierit.
Sipas burimeve nga burgu i sigurisë së lartë në Fier, Malasi kishte shfaqur probleme shëndetësore gjatë natës. Mësohet se ai ka pasur kriza dhe, pasi është konstatuar përkeqësimi i gjendjes së tij, është transportuar për ndihmë mjekësore në spital.
Pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, 60-vjeçari ka ndërruar jetë në spital. Burimet paraprake bëjnë me dije se dyshohet se shkak i vdekjes mund të ketë qenë një infarkt i miokardit, por kjo mbetet për t’u konfirmuar zyrtarisht.
Nuk dihet ende nëse Malasi vuante nga ndonjë sëmundje e mëparshme apo nëse gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar papritur gjatë natës.
Mësohet se 60-vjeçari ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Fierit, ndërsa ndaj tij kishte pasur procedim në lidhje me veprën penale të pastrimit të parave.
Ky i fundit mbahet nën arrest që prej 26 tetorit 2023, teksa GJKKO e ka dënuar me 8-vite burg (Siguri e lartë), për kryerjen e veprave penale “Pastrim i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formën e bashkepunimit të veçantë, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grup i Strukturuar kriminal’.
Vendimi ka marre formë të prerë më datë 01.06.2026. Malasit i kishin mbetur për të kryer edhe 3 vite burg.
Kujtojmë që SPAK dergoi për gjykim dosjen për ish-drejtoreshën e Kadastrës së Durrësit, Rajmonda Dashi e dënuar gjithashtu me 7 vite burg, dy vëllezërit e dënuar për drogë Besjan e Leonard Ramaj dhe biznesmenin Ardjan Malasi, të akuzuar për pastrim parash.
Sipas dosjes hetimore, Dashi kishte arritur të ndihmonte në pastrimin e 1.2 mln euro pasuri të vëllezërve të saj, në bashkëpunim me biznesmenin në fjalë përmes akteve të shitjeve fiktive për qëllime të justifikimit të burimit të ligjshëm.
Kjo veprimtari kriminale rezulton të ketë vazhduar nga viti 2010 e në vijim deri në vitin 2023.
Ndërkohë, grupi hetimor ka nisur verifikimet për të dokumentuar rrethanat e plota të vdekjes. Pritet që ekspertiza mjeko-ligjore dhe dokumentacioni shëndetësor të ndihmojnë në përcaktimin përfundimtar të shkakut të vdekjes.










