Folklori shqiptar në katër qytete të Italisë, në skenë Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore

Këngët, vallet, kostumet dhe traditat e folklorit shqiptar do të prezantohen në disa qytete të Italisë, duke sjellë në skenë pasurinë e kulturës sonë popullore. Në skenat italiane këtë shtator, gjatë një turi artistik, do të përcillet një pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare, përmes muzikës dhe valleve tradicionale. Turneu do të zhvillohet në Brescia, Torino, Pordenone dhe Rovereto, ku do të interpretojnë artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Aktivitetet do të sjellin në vëmendje elemente të traditës shqiptare, ndërsa Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehet se për shqiptarët që jetojnë larg vendit, ky turne përfaqëson më shumë se një shfaqje artistike, duke e cilësuar atë si një takim me kujtesën, rrënjët dhe kulturën shqiptare. “Një tjetër rrugëtim artistik nis për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili këtë herë do të sjellë në skenat italiane ritmin, ngjyrat, kostumet dhe energjinë e traditës shqiptare.
Për të gjithë ata që jetojnë larg, por që e mbajnë Shqipërinë me vete çdo ditë, ky turne është më shumë se një shfaqje, është një takim me kujtesën, me rrënjët dhe me emocionin e një kulture që na bashkon kudo që jemi”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor (TKOBAP). Turi artistik nis më 19 shtator në Brescia, 20 shtator -Torino, 21 shtator -Pordenone, 22 shtator- Rovereto. Turneu synon të sjellë më pranë publikut italian dhe komunitetit shqiptar në Itali një pjesë të repertorit dhe trashëgimisë së folklorit shqiptar.
Pas turit artistik në gusht, në shtator në skenat italiane
Pas turit të zhvilluar gjatë muajit gusht në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku “Fest Folk 2026” solli në skenë këngë, valle dhe kostume tradicionale, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon aktivitetet artistike jashtë vendit. Gjatë muajit gusht, aktiviteti solli në skenat shqiptare këngë, valle dhe kostume tradicionale, duke vendosur në fokus trashëgiminë kulturore dhe folklorin shqiptar. Pas përfundimit të turit në Shqipëri,
Ansambli Popullor do të prezantojë traditën shqiptare edhe në Itali, në kuadër të një turi artistik në katër qytete. Kjo është një tjetër ndalesë në kalendarin artistik të ansamblit, këtë herë përpara publikut në Itali dhe komunitetit shqiptar që jeton atje. Përmes këtyre aktiviteteve, folklori shqiptar vijon të prezantohet edhe përtej kufijve të vendit.








