“Tërmet”/ Arrest shtëpie për Vlora Hysenin, Ilir Proda në SPAK

Për herë të parë ka ndodhur që drejtuesi i shërbimit sekret shqiptar shpallet në kërkim nga policia, në një akuzë të prokurorisë speciale, që këtë të martë preku njëherësh kupolën e SHISH-it dhe struktura të larta të Policisë së Shtetit.
Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për drejtoreshën e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila drejton inteligjencën shqiptare prej vitit 2023. Vetësm se gjatë viteve të fundit, afrimiteti i saj me Ergys Agasin ishte një sekret publik që përflitej prej kohësh në Tiranë dhe që kishte edhe bekimin e kryeministrit Edi Rama.
Si erdhi Vlora Hyseni në krye të SHISH

Masa ndaj saj nuk u ekzekutua menjëherë, pasi Hyseni ndodhet jashtë Shqipërisë. Deri më tani është raportuar se pikërisht lidhjet e saj me Ergys Agasin janë bërë shkak që SPAK të kërkojë arrestimin për dy vepra penale, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Hyseni erdhi në krye të SHISH në mars 2023, e përzgjedhur pikërisht nga vetë kryeministri Edi Rama i cili ia propozoi emrin Presidentit Bajram Begaj, duke e paraqitur përvojën dhe reputacionin e saj në komunitetin ndërkombëtar të inteligjencës si “garanci të plotë” për reformimin e shërbimit shqiptar.
Përpara se të vinte në Shqipëri, Hyseni kishte bërë karrierë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, fillimisht si drejtoreshë e Marrëdhënieve me Jashtë dhe prej vitit 2019 si zëvendësdrejtoreshë, post nga i cili u shkarkua në vitin 2021 me vendim të Presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti, pa u bërë publike arsyet e shkarkimit.
Në qershor të vitit 2021, shkarkimi i saj u bë i ditur përmes një komunikate nga zyra e kryeministrit Kurti që e detyronte të bënte dorëzimin e të gjitha mjeteve dhe materialeve që kishte qenë e ngarkuar. Për Vlora Hysenin nuk u bënë të ditura më shumë arsye të shkarkimit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, mirëpo në komunikatë përmendet fakti se “zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.
Edhe Ilir Proda në telashe
Operacioni për goditjen e grupit të Ergys Agasit është ende në zhvillim dhe goditja nuk u kufizua vetëm te SHISH. Me urdhër të SPAK u kryen kontrolle edhe ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, i cili më pas u paraqit në Prokurorinë e Posaçme dhe u mor në pyetje. Kontrolle u ushtruan edhe ndaj zyrtarëve të tjerë të Policisë dhe SHISH-it, si dhe në disa ambiente në Durrës.
Mes personave ndaj të cilëve u ekzekutuan masa sigurie është Fatjon Kalluçi, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë, si dhe Embro Sulejmani, i cili punonte si kryekamerier në një lokal pranë rezidencave qeveritare në Durrës. Dyshohet se në këto komplekse mund të jetë fshehur Ergys Agasi gjatë kohës kur ishte në arrati. Një tjetër masë u ekzekutua ndaj një eksperti të kriminalistikës në Durrës.
Dosja “Agasi”

Pika e nisjes ishte hetimi për tenderët e AKSHI-t dhe biznesmenin Ergys Agasi, i cili u arrestua më 26 gusht pas tetë muajsh në arrati. Gjatë hetimit, SPAK sekuestroi në zyrën e Agasit pamje filmike, pajisje dhe materiale të tjera që rezultuan të rëndësishme për zgjerimin e hetimeve.
Pamjet e administruara dokumentonin takime të Agasit me ministra, drejtorë dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Vetë Agasi pranoi një ditë më parë në Gjykatën e Posaçme se kishte zhvilluar takime të tilla, por kundërshtoi interpretimin e tyre si provë për korrupsion.
Analiza e materialeve të sekuestruara nuk mbeti vetëm brenda dosjes së tenderëve të AKSHI-t. Prokurorët hapën një fraksion të ri hetimor dhe gjurmët i çuan deri në drejtimin e institucionit që ka për detyrë të mbledhë dhe të ruajë disa prej informacioneve më sensitive të shtetit shqiptar. Në këtë pikë doli emri i Vlora Hysenit.
Dyshimet ndaj saj lidhen tashmë jo me tenderët e AKSHI-t, por me përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e informacionit sekret. Deri tani nuk është bërë publike se cilin person dyshohet se ka përkrahur Hyseni, çfarë informacioni sekret dyshohet se është nxjerrë dhe kujt mund t’i jetë dhënë ai.
Hetimi drejtohet nga prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani dhe operacioni vijon me kontrolle dhe veprime të tjera hetimore.










