AKTUALITET

Zjarr në katin e parë të një hoteli, ndërhyrja në kohë shmang përhapjen e flakëve

Gjirokastër – Një zjarr ka rënë në katin e parë të hotelit “Garden”, në lagjen “18 Shtatori” në Gjirokastër.

Drejtoria e MZSH-së Gjirokastër u njoftua nga një qytetare për rënien e zjarrit, ndërsa menjëherë në vendngjarje u nis grupi i ndërhyrjes.

Me mbërritjen e shërbimit zjarrfikës u konstatua se flakët kishin përfshirë kuzhinën e lokalit. Forcat zjarrfikëse ndërhynë me fikëse pluhuri dhe ujë, duke bërë të mundur izolimin e zjarrit dhe shuarjen e plotë të tij në një kohë të shkurtër.

Ndërhyrja në kohë shmangu përhapjen e flakëve në ambientet e tjera të hotelit dhe lokalit.

Nga verifikimet paraprake dyshohet se zjarri është shkaktuar nga pajisja e gazit, ku ishte vendosur një tenxhere për ngrohjen e ujit, e cila kishte mbetur e ndezur.

Fatmirësisht, nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet janë vetëm materiale.
Shërbimet përkatëse vijojnë verifikimet për përcaktimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button