Flakët shkrumbuan mijëra ullinj në Kreshpan, dhjetë familje në alarm/ Helikopteri nga Tirana lufton zjarrin, arrestohet një 30 vjeçar.

Fier – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së hënës një zonë në Fier, duke lënë pas një bilanc të rëndë dëmesh. Flakët, të favorizuara edhe nga era, u përhapën me shpejtësi dhe për disa orë përpinë sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj, pisha dhe shkurre.
Sipas banorëve të zonës, zjarri ka shkrumbuar rreth 2 mijë rrënjë ullinj, ndërsa janë djegur edhe disa hektarë me pisha të buta dhe bimësi.
Për afro dhjetë familje, pasditja e së hënës u kthye në një moment paniku. Flakët iu afruan pasurive të tyre, ndërsa banorët u përballën me një situatë të vështirë për të mbrojtur pronat dhe sipërfaqet bujqësore.
“Zjarri u përhap menjëherë. Brenda pak orësh mori përpara ullinjtë, shkurret, pishat dhe gjithçka që gjendej në rrugën e flakëve”, tregojnë banorët, të cilët kanë dokumentuar me video dhe fotografi momentet e përhapjes së zjarrit dhe pasojat që ai la pas.




Në terren mbërritën forcat zjarrfikëse, të cilat punuan për orë të tëra për izolimin dhe shuarjen e flakëve. Situata u vështirësua nga era, e cila favorizoi përhapjen e shpejtë të zjarrit dhe krijoi vatra të reja.
Për të ndihmuar në operacionin e shuarjes, nga Tirana mbërriti edhe një helikopter, i cili ndërhyri nga ajri në zonat ku flakët ishin më të përhapura.
Pas një operacioni disaorësh, zjarri u vu nën kontroll gjatë mbrëmjes së djeshme. Megjithatë, sipërfaqja e djegur dhe dëmet e shkaktuara në ullishte, pisha dhe pasuri private mbeten të konsiderueshme.
Ekspertët zbresin në terren
Paraditen e sotme, zona është vizituar nga ekspertë të Policisë së Shtetit, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët kanë parë nga afër situatën dhe pasojat e zjarrit.
Banorët kanë kërkuar që dëmet të dokumentohen dhe të vlerësohen, pasi sipas tyre pasuria e humbur nuk është vetëm ekonomike, por përfaqëson vite pune dhe investimesh në ullishte.




Ndërkohë, Policia e Fierit ka shoqëruar pasditen e djeshme dy persona në ambientet e komisariatit, në kuadër të hetimeve për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Sipas informacionit të dhënë nga banorët, për njërin prej personave është lëshuar urdhër-arresti.
Hetimet pritet të hedhin dritë mbi mënyrën se si nisi zjarri dhe nëse kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale apo me një zjarr të shkaktuar me dashje.

Ndërkohë, ajo që ka mbetur pas është një sipërfaqe e madhe e nxirë nga flakët: mijëra rrënjë ullinj të djegura, pisha të shkrumbuara dhe dëme të konsiderueshme për familjet që jetojnë dhe punojnë në këtë zonë.
Pamjet dhe videot e siguruara nga banorët tregojnë përmasat e zjarrit dhe momentet e vështira kur flakët përparonin me shpejtësi, duke kërcënuar pronat dhe tokat bujqësore. /ALB365/ Xhemil Beharaj










