AKTUALITETTOP-NEWS

Aksident në Lushnje – Berat/ Makina del nga rruga dhe përfundon në kanal, aksidentohen 3 motra dhe një foshnjë

Lushnje – Një aksident rrugor është regjistruar në aksin Lushnjë–Berat, pranë fshatit Kashtbardhë, ku një automjet tip “Ford” ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanalin anësor.

Mësohet se drejtuesja e automjetit nuk ka arritur të marrë kthesën, duke humbur kontrollin dhe përfunduar në kanal, i cili fatmirësisht nuk kishte ujë.

Në automjetin e marrë me qira udhëtonin tre motra dhe një foshnjë rreth dy muajshe. Si pasojë e aksidentit, njëra prej pasagjereve ka marrë dëmtime të lehta. Ajo, së bashku me foshnjën, është transportuar në spitalin e Lushnjës për kontroll mjekësor.

Sipas të dhënave paraprake, tre motrat ishin emigrante në Angli dhe po udhëtonin drejt Beratit.

Dyshohet se mungesa e ndriçimit në këtë segment rrugor mund të ketë ndikuar në aksident, pasi drejtuesja nuk ka arritur të dallojë kthesën. Ndërkohë, shpejtësia brenda normave të lejuara dyshohet se ka shmangur pasoja më të rënda. Automjeti ka pësuar dëme materiale.

Policia ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për dokumentimin e plotë të aksidentit.

Kjo kthesë rikthehet sërish në vëmendje për shkak të rrezikut që paraqet për drejtuesit e mjeteve, ndërsa mungesa e ndriçimit ngre shqetësime për sigurinë rrugore në këtë segment.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button