
Futbollisti Rocco Vata ka zbuluar një episod të veçantë nga ndeshja ndaj Kosovës, duke treguar se gjatë sfidës është përballur me provokime dhe ofendime nga disa lojtarë kundërshtarë.
Në një rrëfim për atë që ndodhi në fushën e lojës, Vata tregon se kur ndodhej pranë zonës së Kosovës, disa prej futbollistëve kundërshtarë e pyetën nëse ishte shqiptar. Pasi morën përgjigjen e tij, ata vijuan me disa ofendime, të cilat futbollisti thotë se i kuptoi.
“Kur isha në zonën e tyre, lojtarët e Kosovës më thanë disa gjëra dhe i kuptova. Po, më shanë pak. Më pyetën: ‘A je shqiptar?’ dhe më pas më shanë. Unë iu përgjigja: ‘Po, mos u shqetësoni’”, rrëfen Vata.

Por episodi nuk përfundoi me përplasjen verbale në fushë. Pas përfundimit të ndeshjes, një prej lojtarëve që ishte përfshirë në këtë situatë iu afrua Vatës dhe i kërkoi falje për sjelljen e tij.
Një gjest që tregon se tensionet dhe provokimet e momenteve të lojës mund të lihen pas përfundimit të 90 minutave, ndërsa rrëfimi i futbollistit ka tërhequr vëmendjen për episodin e pazakontë mes dy lojtarëve shqiptarë në fushën e futbollit.







