Aksident fatal në autostradën Vlorë–Fier, humb jetën një person në Novoselë

Një person ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor të ndodhur në autostradën Vlorë–Fier, në afërsi të Novoselës.
Sipas informacioneve paraprake, viktima, identiteti i të cilit ende nuk është bërë i ditur, dyshohet se po tentonte të kalonte autostradën në momentin kur është përplasur nga një automjet që po qarkullonte në këtë aks rrugor.
Për shkak të goditjes së fortë, personi ka pësuar dëmtime të rënda në të gjithë trupin dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje. Burime paraprake bëjnë me dije se viktima dyshohet të ketë qenë një person endacak, por ky informacion mbetet ende për t’u konfirmuar nga autoritetet.
Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e aksidentit kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit, si dhe për identifikimin e viktimës.
Hetimet vijojnë.









