Aksident zinxhir në autostradën Levan–Tepelenë, përplasen pesë automjete, tre të lënduar

Një aksident i shumëfishtë është regjistruar mesditën e sotme në autostradën Levan–Tepelenë, në vendin e quajtur Fratar, në Mallakastër.
Sipas burimeve policore, pesë automjete janë përplasur me njëra-tjetrën në një aksident zinxhir, ndërsa si pasojë e përplasjes së fortë kanë mbetur të lënduar tre persona, një shtetas shqiptar dhe dy shtetas gjermanë.
Të dëmtuarit janë transportuar menjëherë drejt Spitalit Rajonal të Fierit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Burime nga spitali bëjnë me dije se ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Shtetit dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve që çuan në këtë aksident.
Ndërkohë, për shkak të përplasjes së automjeteve, qarkullimi në këtë segment rrugor u bllokua për disa minuta, duke shkaktuar radhë të gjata automjetesh dhe trafik të rënduar në të dy drejtimet e lëvizjes.
Hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e aksidentit.









