Friday, March 29, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeAKTUALITETAlda Klosi u tradhtua nga gabimi i vëllait të saj

Alda Klosi u tradhtua nga gabimi i vëllait të saj

Pohimet përpara autoriteteve të Drejtësisë, të Rozeta Dobit, pastrueses që punonte në banesën e ish zyrtares Alda Klosi, por dhe deklaratat kontradiktore të kësaj të fundit e të vëllait të saj, ishin ato që çuan prokurorinë në vendimin e arrestimit të premten në mbrëmje.

Zonja Klosi dyshohet për të paktën tre vepra penale “Pastrim parash”, “Deklarata të rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore” si dhe “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin fshehjen ose deklarimi i rremë, i pasurive, interesave private…” duke qenë se për shkak të posteve që ka mbajtur ka detyrim deklarimin e të ardhurave dhe pasurisë. Ajo ka mbajtur funksione të larta në administratë, si ish drejtoreshë e koncensioneve në ministrinë e Financave deri në korrik të 2022, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për të kaluar më pas në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare.

Rozeta Dobi, e arrestuar në fillim të janarit për vjedhjen e banesës së ish zyrtares, bëri një kthesë të fortë të qëndrimeve të mbajtura fillimisht, kur pranoi vjedhjen të vetëm 120 mijë eurove dhe 30 mijë dollarëve apo dhe të bizhuterive në shtëpinë e zonjës Klosi, dhe refuzoi të jepte shpjegime për origjinën e 404 mijë eurove të tjera të gjetura të fshehura në shtëpinë e saj, në tubin e aspiratorit.

Gjatë marrjes në pyetje të premten, ajo ka pohuar se të gjitha paratë i përkasin ish zyrtares, dhe se vjedhja e banesës ishte inskenuar në bashkëpunimin me Klosin, e cila sipas saj i kishte kërkuar që t’ia ruante ajo “të gjitha paratë, pasi kishte frikë nga ish-bashkëshorti i cili e kërcënonte”. Sipas dokumentave të Prokurorisë, të cilat Zëri i Amerikës ka mundur të shohë, Dobi ka treguar se ajo kishte vënë re shpesh prani të sasive të mëdha të parave në shtëpinë e Klosit. Sipas saj disa vite më parë ajo kishte gjetur shuma të mëdha të mbuluara me batanije në në krevatin e ish zyrtares, ndërsa gjatë vitit 2021 deri në fund të viti të shkuar, ajo ka rrëfyer se në shtëpi ka patur “kuti me para, me vlera të mëdha monetare në euro”, por duke saktësuar se “për mënyrën e lëvizjes së tyre, nuk e di se ku i merrte dhe ku i dërgonte Alda”.

Kjo dëshmi duket të jetë konsideruar thelbësore për prokurorinë e cila ndërkohë kishte ngritur dyshimet e saj serioze ndaj vetë ish zyrtares. Së pari, pasi ajo kishte dhënë deklarime tërësisht të ndryshme mbi paratë në shtëpinë e saj. Ditën e vjedhjes, ajo ishte shprehur se në banesë, përveç bizhuterive, nga kontrolli paraprak ka konstatuar se i mungonte edhe një sasi parash për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme.

Ndërsa kur u thirr në polici, ditën e arrestimit të Dobit dhe djalit të saj, ajo kishte deklaruar se “pasi kishte menduar me qetësi për sendet që ka patur, kishte konstatuar se i janë vjedhur një shumë në valutë të huaj më shumë se 120 mijë euro, si dhe një shumë prej 30 mijë dollarësh”, të cilat ajo ka shpjeguar se ia kishte lënë xhaxhai, që ajo të kujdesej për shtëpinë e tij, ndërkohë që ai ishte jashtë vendit për t’u kuruar për shkak të një sëmundjeje të rëndë e cila i mori jetën pak ditë më pas.

Përveç kësaj, ish zyrtarja është “tradhëtuar” dhe nga i vëllai, i cili dy ditë më pas, ka dhënë një tjetër version mbi origjinën e parave. Ai ka deklaruar se paratë janë marrë hua nga një mik i familjes për të ndihmuar xhaxhain që ishte i sëmurë. Madje ai ka paraqitur dhe një deklaratë huaje me shkrim dore, që datonte 3 nëntor 2022. Deklaratë të cilën prokuroria dyshon se është fiktive.

Zonja Klosi, e cila të nesërmen e arrestimit u shtrua në spital, për shkak të problemeve me tensionin, pritet të mësojë nesër vendimin e gjykatës për masën e sigurisë. Veprat penale për të cilat ajo dyshohet, parashikojnë një dënim nga 5 deri në 10 vite burgim, e për këtë arsye, prokuroria kërkon që ndaj saj të mbetet ne fuqi ‘arresti me burg”. /VOA

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME