Grupimi i mbështetësve të Lulzim Bashës është i vendosur që të garojë në zgjedhjet vendore të 14 majit me kandidatët e vet, duke injoruar kandidatin e përbashkët që kërkon PD-ja e drejtuar nga Berisha. Alibeaj ka prezantuar dy kandidate të tjera në bashlitë Vau i Dejës dhe Patos.
Klomentina Drini është prezantuar si kandidatja që do të përfaqësojë PD në zgjedhjet vendore te 14 majit për Vaun e Dejës.
“Ajo ka lindur dhe jeton së bashku me bashkëshortin dhe vajzën në Vaun e Dejës. Drini ka përfunduar studimet e larta në degën e informatikës ndërsa ka marrë titullin master profesionale për degën administrim biznes.
Gjatë viteve të fundit zonja Drini ka qenë ne pozicione të larta drejtimi në fushen e administrimit në biznese private por dhe në administratën lokale”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.
Ndërsa emri i dytë është për Patosin ku PD e Alibeajt ka zgjedhur si kandidate mësuesen Pranvera Rizai.
“Mësuesja Pranvera Rizai prej vitesh mban postin e kryetares së LDG të Patosit. Pranvera Rizai është anëtare themeluese e degës së PD në Patos dhe njihet për kontributin e saj edhe si anëtare e këshillit bashkiak.
Ajo ka përfunduar studimet në degën e mësuesisë dhe ato pasuniversitare për Menaxhim Arsimi në UT. Prej shumë vitesh zonja Rizai ushtron profesionin e mësueses dhe së fundmi si mësuese pranë shkollës “Meleq Gosnishti”, Patos. Ajo është e martuar dhe nënë e dy djemve”, thuhet në njoftim.