Merr flakë makina në Llogara, një person i djegur brenda

Një ngjarje e rëndë është shënuar sot në mesditë në Llogara. Rreth orës 14:35 minuta një makinë ka marrë flakë në Qafë e Llogarasë, ndërsa shoferi është djegur brenda.
Rrethanat e ngjarjes mbeten ende të paqarta
Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e emergjencës, të cilat po punojnë për shuarjen e flakëve dhe nxjerrjen e trupit nga automjeti i shkrumbuar. Zona është rrethuar, ndërsa pritet edhe mbërritja e policisë për të nisur hetimet dhe për të zbardhur shkaqet e zjarrit.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare mbi viktimën apo mbi shkaqet që çuan në shpërthimin e flakëve. Për momentin thonë se dyshohet se është një 35 vjeçar me origjinë nga Berati. Hetimet vijojnë, informon gazetari i Syri Tv, Gentian Këllçiu.

Vlorë/Informacion paraprak
Rreth orës 14:35, pas një njoftimi të marrë në sallën operative të DVP Vlorë, shërbimet e Policisë janë nisur drejt vendit të quajtur “Qafa e Llogarasë”, ku kanë konstatuar një automjet duke u djegur. Brenda automjetit dyshohet se si pasojë e zjarrit, ka humbur jetën dhe është djegur një shtetas ende i paidentifikuar, në sediljen e drejtuesit të mjetit.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për identifikimin e viktimës dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.








