
Raporti i ri i IBAR i miratuar nga BE ashpërson ndjeshëm tonin ndaj Shqipërisë, duke e lidhur progresin e integrimit me ndalimin e ndërhyrjeve politike ndaj SPAK, respektimin e standardeve europiane për imunitetin e deputetëve në rastin Balluku dhe zbatimin real të reformës në drejtësi.
Përpjekjet e Bashkimit Europian për ta nxjerrë Shqipërinë nga bataku ballkanik ku është zhytur dhe për ta futur në mesin e vendeve antare po i ngjan përpjekjeve të atyre njerëzve që bëjnë çmos ta shpëtojnë një njeri që po mbytet, por ky në vend se ta ndihmojë veten, e përkeqëson më tej situatën. Këtë panoramë të krijon raporti i ndërmjetëm IBAR, që u miratua këtë mesditë (e mërkurë 21 Maj) nga 27 vendet anëtare.
Kushtet dhe kërkesat që i vendosen qeverisë shqiptare në këtë dokument, gjuha gati ultimative që është përdorur dhe problematikat e shumta që shfaqen në Shqipëri tregojnë më së pari vullnetin e Bashkimit Europian për t’u zgjeruar, ndërsa vendi ynë është ende larg standarteve europiane.
Dallimi mes raportit të shkurtit dhe atij të majit të ndryshuar nga vendet anëtare

Jo më kot, dokumenti që u miratua këtë 21 Maj ka ndryshime të shumta nga dokumenti që u paraqit në muajin shkurt nga Komisioni Europian.
Krahasuar me draftin e shkurtit 2026, versioni i kompromisit i 21 majit është dukshëm më i ashpër dhe me një përmbajtje më të theksuar politike ndaj Shqipërisë. Në tekstin e majit, BE-ja emërton drejtpërdrejt SPAK-un dhe flet për “sulme në rritje dhe shqetësuese”, madje “edhe në nivele të larta”, ndaj institucioneve të drejtësisë, ndërsa shton si kusht zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe standardeve të Komisionit të Venecias për imunitetin. Dokumenti i ri forcon gjithashtu tonin për korrupsionin, duke e kaluar nga “një shqetësim serioz” në “shqetësim thelbësor”, çka në gjuhën diplomatike të BE-së konsiderohet një përshkallëzim serioz.
Ndryshime të forta ka edhe për pronat, ku për herë të parë përmenden abuzimet në zonat bregdetare dhe në zonat ku jetojnë minoritetet, si dhe kërkesa për kompensim të drejtë në rastet e shpronësimeve. Po ashtu, BE-ja shton kritika për “rrjetet patronazhuese”, përdorimin e burimeve shtetërore në zgjedhje, mungesën e autonomisë së pushtetit vendor dhe presionin ndaj mediave e gazetarëve. Në thelb, teksti i majit largohet nga historia e “progresit” që mbante firmën e Komisionit Europian dhe e kthen procesin në një listë kushtesh konkrete dhe paralajmërimesh politike që Shqipëria duhet të përmbushë para mbylljes së kapitujve të negociatave.
Mund të thuhet se versioni i parë ishte një propozim entuziast për miratimin e raportit të IBAR-it për Shqipërinë. Kurse dokumenti i sotëm nuk lë vend për ndonjë festë me shampanjë. Më e rastit për administratën e integrimit do të ishte një peshqir për të lidhur kokën dhe për t’ia nisur nga puna, sepse mbyllja e grupkapitullit të parë, nuk do të jetë aq e lehtë.
Qëndrimi për imunitetin e Ballukut, si kusht për mbylljen e grupkapitullit të parë

IBAR, ose Raporti i Vlerësimit të Standardeve të Përkohshme, është i lidhur me grupkapitullin e parë “Themeloret”, i cili përfshin shtetin e së drejtës, reformat në drejtësi, të drejtat themelore, institucionet demokratike dhe administrata publike.
Vetëm se situata me gjyqësorin nuk është aq rozë. Mes mazhorancës socialiste dhe SPAK është ende i nxehtë konflikti për dosjet që kanë të bëjnë me ish-zv.kryeministren Belinda Balluku apo me arrestimet në radhët e drejtuesve të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Kryeministri Edi Rama i ka dalë në mbrojtje zyrtarëve më të lartë të arrestuar dhe të marrë të pandehur për këto dosje; Rama udhëhoqi një fushatë linçimi ndaj prokurorëve dhe gjykatësve të SPAK dhe GJKKO dhe në 12 Mars, me 82 vota rrëzoi në parlament kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Bashkëpuntorja e ngushtë e Edi Ramës prej disa dekadash është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera me vlerë disa qindra miliona euro dhe sipas prokurorëve, ka kërcënuar dëshmitarët në procesin gjyqësor.
Kjo spirale sulmesh ndaj prokurorëve dhe gjykatësve të sistemit të drejtësisë dhe refuzimi i mazhorancës socialiste për të dhënë autorizimin ndaj SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut është trajtuar në një nga paragrafët e raportit të ri. Mesazhi për imnunitetin e Ballukut vjen si kusht dhe jo më si një sugjerim.
Për kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të drejtat themelore”, raporti sugjeron që “Shqipëria të zbatojë më tej reformën e saj gjithëpërfshirëse në drejtësi, duke u mbështetur mbi arritjet, me qëllim garantimin e plotë të paanshmërisë, pavarësisë, llogaridhënies, profesionalizmit, cilësisë dhe efikasitetit të sistemit gjyqësor. Në veçanti, Shqipëria do ta përmbushë këtë standard përmbyllës sapo ajo….” vazhdon raporti duke vënë disa kritere për një drejtësi sa më cilësore, sa më pranë standarteve të Bashkimit Europian dhe siç shprehet në paragrafin e mëtejshëm: “…duke marrë parasysh nevojën që Shqipëria të sigurojë që përfaqësuesit e pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ të përmbahen nga ndërhyrjet e papërshtatshme në institucionet e drejtësisë, të zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe të aplikojnë standardet europiane, në veçanti ato të përcaktuara nga Komisioni i Venecias lidhur me vendimet për imunitetin”.
Por cilat janë këto standarte europiane “të përcaktuara nga Komisioni i Venecias lidhur me vendimet për imunitetin”?
Kush i ka ndjekur me vëmëndje zhvillimet në seancën e pyetje-përgjigjeve në Këshillin e Mandateve dhe të Imunitetit për çështjen e Belinda Ballukut, kujton se deputetët e opozitës pyetën prokurorët e SPAK dhe avokatët e Ballukut, nëse pretendimet e tyre për imuniteten e deputetes kishin të bënin me ndonjë motiv politik të supozuar. Pyetjes së Gazment Bardhit “nëse kërkesa për arrestimin e Ballukut është e bazuar në motive politike”, SPAK iu përgjigj se gjithçka bazohet vetëm në provë. Por kjo pikë e diskutimit shërbeu që edhe mbrojtja e Ballukut të pranojë se “nuk kanë indicie për asnjë motiv politik”, referuar kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres. Pra të dyja palët e përjashtuan motivin politik si shkak të ndjekjes penale.
Pikërisht ky është pikëtakimi me standartet europiane të imunitetit, të përcaktuara nga Komisioni i Venecias. Sepse ndjekja penale për motive politike është rasti i vetëm kur një deputet duhet mbrojtur nga imuniteti, thonë standartet europiane. Thënë këtë, në raportin e ndërmjetëm IBAR, qeverisë shqiptare i kërkohet që të aplikojë të njëjtin standart europian. Pra të mos e përdorë imunitetin e deputetit për t’u mbrojtur nga SPAK për arsyet qesharake që ka përmendur Edi Rama, sepse po “jetojmë kohë revolucionare”.
Mbetet për t’u parë nëse qeveria shqiptare do të reflektojë për këtë mesazh të dytë që po i vjen nga Brukseli apo do ta injorojë sërish. Në 12 Mars, kur u përplas me ambasadat e vendeve europiane për imunitetin e Ballukut, kryeministri Edi Rama tha se “dinjiteti i parlamentarëve nuk është material për eksperimente socio-politike” se SPAK nuk ka “karta bianka” për të arrestuar politikanët dhe se ai bëri atë “që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”.
Propozimi i Merz, integrim gradual për vendet e Ballkanit Perëndimor

Në të njëjtën ditë që vendet e BE gëlltitën problemet e deritanishme në Shqipëri dhe dhanë dritën jeshile për IBAR, kancelari Fridrih Merz ka dalë me një propozim që duket se do të përshpejtojë afrimin e Shqipërisë me BE. Në një letër publike, Merz shkruan se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kenë një status vëzhguesi në organizmat e Bashkimit Europian.
“Ne mund të parashikojmë edhe për këto vende hapa të konsiderueshëm në rrugën e tyre drejt anëtarësimit, për shembull me qasje të privilegjuar në Tregun e Brendshëm dhe lidhje më të ngushta me institucionet evropiane në procesin e përditshëm të vendimmarrjes, për shembull duke u dhënë statusin e vëzhguesit vendeve të Ballkanit Perëndimor në të gjitha institucionet përkatëse të BE-së, dhe duke mbajtur seanca të përbashkëta të Komisionit Evropian ose Parlamentit Evropian me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor që lidhen me çështje që lidhen drejtpërdrejt me rajonin.” ka thënë ai.
Këtë integrim gradual që ka propozuar Merz për vendet e Ballkanit Perëndimor, opozita e sheh me pozitivitet, por deputetja e PD, Jorida Tabaku tha se vullneti i Gjermanisë i shprehur nga kancelari, tregon qartë se kush e ka vonuar procesin në muajt e fundit.
“Mbështetja e Gjermanisë, konfirmimi i Gjermanisë drejt këtij rrugëtimi, besoj që e konfirmon dhe njëherë për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor. “5 muajt e fundit të pengesave, të vonesave, të mungesës së vullnetit politik, unë besoj që kanë të njëjtat arsye që e vonuan për 10 vite, që u shtynë për 5 muaj të tjerë, të cilët sot qytetarët shqiptarë besoj, në fund të ditës e kanë kuptuar se kush ka qenë pengesa. Dhe njëherë bëj thirrje që ky propozim që ka ardhur sot nga Gjermania për vendet e tjera anëtare, të shihet si një mundësi e qeverisë shqiptare për të ecur përpara, për të bërë reformat” u shpreh Tabaku në fjalën e saj në parlament.
Nga ana tjetër, që pa miratimit të një rezolute të përbashkët me opozitën, zërat në PS janë zbutur në raport me opozitën. Ndërsa dikur e shpërfillnin opozitën në parlament me pretekstin e “non gratës”, tani socialistët po flasin më shumë për bashkëpunim. “Dua ta përcjell pozicionin e qeverisë gjermane dhe kancelarit Merz. Është një lajm i mirë. Në frymën e kësaj rezolute që miratuam javën e kaluar, mirënjohje dhe falënderime për deputetët që e votuan. Le të bëhemi bashkë për Shqipërinë tonë të përbashkët” u shpreh Taulant Balla.
Si me bashkëpunim, si pa bashkëpunim politik, dosjet hetimore janë aty, ndërsa SPAK ka kaluar në opsionin “stand by” dhe lëvizja e vetme kanë qenë disa kontrolle tek njerëz të afërm të Belinda Ballukut. Breshëritë e sulmeve që i erdhën nga frëngjitë e kryeministrisë i detyruan prokurorë dhe gjykatës të zbythen për ca kohë.
Sinjalet janë se kjo tulatje nuk do të zgjasë shumë. Maksimumi deri sa në oborrin e SPAK të shfaqet ambasadori i ri amerikan apo ndonjë i dërguar nga Bashkimi Europian, pasi në diskutimet e Kongresit Amerikan dje dhe në raportin e Brukselit sot, mesazhet për prokurorët duken inkurajuese. Dhe atëherë, nga bodrumet e SPAK që sot duken të fjetur, do të dalë vala e fletë-arresteve të radhës që do ta përshpjejtojë sërish integrimin në Bashkimin Europian











