Në konferencën për mediat, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është pyetur për mënyrën sesi do të vijojë aksioni opozitar dhe nëse do të ketë përshkallëzime, duke theksuar se nëse Edi Rama nuk jep dorëheqjen, i ngelet opozitës dhe protestueseve që ta largojnë nga pushteti.
“Në fakt, po nuk iku, do ta heqim. Meqenëse shtrove çështjen kam këtë koment. Dje kam deklaruar para shqiptarëve dhe botës, Edi Ramën, armik. Armik! Dhe sigurisht mund të ketë patur dhe mund të ketë njerëz që mendojnë se kjo ishte e rëndë. Unë e kam deklaruar atë armik me bindjen më të thellë të gjendjes sime. E para për monizmin që vendosin. E rrëzuam monizmin në vitet ’90, e kishin etërit e Edi Ramës, dhe e ktheu Rama në vitet 2021-2022. Monizmin e ktheu duke rrëmbyer votën e shqiptarëve, që për mua është thelbi i lirisë. Duke i marrë votat me patronazhistët, duke i armatosur si terroristë të kuq me të dhënat personale të shqiptarëve. Ai rrëmbeu votat me thasë eurosh me banda, me gjak. Në votat e Taulant Ballës është gjaku i Pjerin Xhuvanit. Pra vendosi Rama monizmin qe e rrëzuam në vitet 90. Dhe kjo përbën absolutisht kauzus-blein dhe ta marrë vesh çdo shqiptar dhe kushdo tjetër se Edi Rama do trajtohet si armik i votës së lirë dhe kurrë nuk do të prekë më votën e shqiptarëve. Me çdo çmim dhe sakrificë shqiptarët do votojnë të lirë. Gaboi, gaboi dhe gaboi shumë rëndë. Edi Rama është sot 25 vjet në pushtet, nuk i ka prekur kurrkush një votë të vetme. Në 2011 kur humbi bashkinë çdo votë është numëruar përpara 5 kamerave televizive. Janë numëruar votat e hedhura gabim se në kodin e Venecias detyrohet numërimi i votave të hedhura gabim. Ne zbatuam standardin ndërkombëtar dhe Edi Rama s’qe i zoti të kundërshtojë një votë të vetme.
Së dyti Edi Rama mori pushtetin nga ata që kishin pushtetin dhe kishin 48% të pushteteve në vend. Ju mund të thoni se sot i ka 100% për faktin se Lulzim Basha bojkotoi zgjedhjet. Unë ju them se Edi Rama e deshi këtë. Lulzim Basha bëri gabim të madh por të njëjtën rrethanë kishim në 2007, Edi Rama donte me çdo kusht të bojkotonte zgjedhjet lokale, të cilat 80% ishin në duart e kryebashkiakëve socialistë. 5 muaj u shtynë zgjedhjet lokale, isha i gatshëm dhe 10 muaj t’i shtyja dhe në monizëm të mos shkoja. Nuk isha i gatshëm kurrë ta ktheja në monizëm kombin tim. Edi Rama është demon pushteti. Nuk njeh model tjetër veç modelit të etërve të tij dhe pushtetin e përdor për vjedhjet e tij të pandalshme, të pangopur“, tha Berisha.