
Procesi i kryebashkiakut i motivuar politikisht përpara zgjedhjeve, “në shkelje procedurash”, “ka për qëllim ndëshkimin e individit”, “një drejtësi represive”
Deputeti socialist Fatmir Xhafaj është gjendur para një zgjedhjeje të vështirë midis dy detyrimeve: të parit për të ruajtur aureolën e babait të një reforme të skuksesshme në drejtësi dhe atij ndaj Erion Veliajt, që i bëri të mundur rizgjedhjen deputet, në një fushatë të udhëhequr nga drejtorët e kompanisë 5D, atëherë kur Rama e degdisi në pjësën humbëse të listës.
Në një letër të gjatë të publikuar kete të shtunë, Xhafaj ka vendosur të marrë krahun e të dytit, duke akuzuar SPAK-un dhe GJKKO-në, si të motivuara politikisht përpara zgjedhjeve, si aktore të një procesi në shkelje procedurash, të cilat kanë për qëllim ndëshkimin e individit pa vendim gjyqi, duke aplikuar një drejtësi represive ndaj një personi pa fakte korruptive si kryebashkiaku.
Meqënëse, teksti i ngjan një çarçafi të gjatë (që zor se dikush e çon dot deri në fund), ku me një skrupolozitet prej papagalli përsëriten të gjitha mburrjet dhe mbështetja që Edi Rama ka artikuluar më parë për Reformën në Drejtësi, Lapsi.al është fokusuar vetëm tek mbrojtja që ai ka marrë përsipër ti bëjë Veliajt.
Së pari, Xhafaj i fryn tezës që kanë propoganduar të gjithë mercenarët politikë të rilindjes duke folur për një frymëzim opozitar të SPAK-ut. “Atë që nuk e bëri dot opozita për mbi 10 muaj me rreth 50 protesta të përjavshme e shpesh të dhunshme e bëri një vendim gjyqësor rreth 90 ditë para zgjedhjeve” shkruan Xhafaj. Brenda një teksti, ku pjesa më e madhe i kushtohet reformës “sukeseve” apo “dështimeve” të saj, ai bën një profil politik të madhështisë së Lalit. “E besoj fort se kjo është edhe arsyeja kryesore përse ai luftohet kaq fort e egër dhe shpesh me goditje nën brez”, shkruan në mënyrë të pakuptimtë, duke hequr një paralele mes prangosjes së tanishme dhe luftës politike që i është bërë kryebashkiakut të Tiranës.
Por ky nuk është momenti i vetëm që Xhafaj aludon për një drejtësi politike duke rrënuar gjithçka ka mbrojtur deri tani. Ai pretendon se burgosja nuk është proporcionale por e motivuar nga zgjedhjet që po afrohen: “aq më keq akoma nuk bindin kur shtron në diskutim dobinë dhe interesin publik, përfshi dhe momentin politik e elektoral kur ajo u dha”.
Hipokrizia vezulluese e Fatmirit duket edhe në konceptet pas të cilave ai kacavirret për ndihmë. Ai thotë se është kundër paraburgimeve, kundër synimit për të ndëshkuar individin dhe kundër një drejtësie represive në vend të asaj preventive. Por ama, kurrë më parë, vëllai biologjik i Agronit, nuk ka bërë një letër kaq të gjatë sa tani kur këto i ndodhën vëllait të tij politik. As për Ahmetajn, as për Dakon, as për Metën etj. Atëherë Fatmiri ka heshtur. Ndërsa për njeriun që i hodhi komardaren kur Rama deshi ta flakte nga politika përdor një standart të ndryshëm. Dhe pikërisht ky hall e bën që të ushqejë paranojën qesharake se Berisha dhe opozita mund të ndikojnë SPAK-un.
Pasi parashtron tezën e një komploti të politizuar “babai i reformës” hyn në dhë thelbin e çështjes. Ai shprhet hapur se në: “ato qindra faqe nuk e gjej qartë një gjë të tillë, se ku është korrupsioni i vetë Kryetarit të Bashkisë”!
Ai vëren se pas asaj që ka parë “bindem edhe më shumë për një proces jo të drejtë në aspektin procedurial”. Xhafaj thekson edhe vjegëzën ku janë kapur të gjithë mbrojtësit për pese lekë të Veliajt, fatktin se denoncimi është bërë nga një personazh që nuk egziston si Aesti Angoni, duke shtuar se: “kam pikëpyetjet e mia për mënyrën se si ka filluar dhe si është proceduar në këtë çështje penale”.
Dhe për ta çuar këtë apostrofim qesharak deri në fund babai i reformës në drejtësi mundohet të justifikojë edhe çmimet marramendëse për blerje brekësh dhe sutjenash nga Ajola Xoxa, milionat për të cilat, kanë llahtarisur mbarë publikun. Me stilin e Ramës që thoshte se “Erioni nuk vesh fustane dhe bizhu” Xhafaj vazhdon: “nga sa del nga vendimi gjyqësor i bërë publik nuk ka një lidhje të drejtpërdrejtë edhe midis atyre “fakteve” dhe akuzës për korrupsion ndaj Kryetarit të Bashkisë”.
Pasi ke dëgjuar këto argumente, natyrshëm të lind pyetja: Çfarë pocaqie paskësh qenë kjo reformë në drejtësi, kur për të flet kështu një nga njerëzit e saj kryesorë? A duhet pasur më besim tek një SPAK apo GJKKO, që në procesin e tyre më madhor, atë të zyrtarit më të lartë në detyrë paskan gabuar kaq shumë? A mund të jetë ajo e drejtë kur gjykokërkan të nxitur politikisht, kur shkelkan procedurat, kur yshten të ndëshkojë personin dhe jo të zgjithë çështjen, kur sillen në mënyre represive?
Ajo që përshkruan Xhafaj është një drejtësi mostruoze dhe për ta vizatuar tamam kështu duket sikur kreu i Komisionit për Reformën, ka marë borxh gjuhën e Berishës së Metës apo kundërshtarëve më të mëdhenj të saj. Këtyre të parëve si mbetet gjë tjetër veçse ti thonë: “Mirëserdhe në klub, z. Xhafaj”. Ndërsa ata që e kanë dëgjuar tek fliste për sukseset tetë vjeçare të saj i ngelet ta pyesin: “ç’hall të paska zënë, Fatmir”? /Lapsi