Autorët ikën me Audi drejt Librazhdit/ Ku po hetohet për vrasjen e Mondi Mëhallës

Kanë dalë detaje të reja nga ekzekutimi i biznesmenit Mondi Mëhalla në qytetin e Elbasanit mbrëmjen e kësaj të diele. Gjithçka ndodhi rreth orës 20.35. 43-vjeçari sapo kishte dalë nga karburanti “Xhaxhi Oil” në pronësi të tij në unazën jugore të qytetit dhe ishte futur në makinën tip “Range Rover”.
Menjëherë i janë afruar dy persona që kanë hapur zjarr ndaj tij. Për shkak të plagëve të marra në kokë, ai ka humbur jetën menjëherë. Më pas autorët janë larguar me një makinë “Audi” ngjyrë të zezë në drejtim të aksit rrugor Elbasan – Librazhd.
Pistat në të cilat po heton policia janë disa. Burime nga grupi hetimor thanë se po verifikohen konfliktet aktuale që mund të ketë pasur viktima, por edhe ngjarjet e kaluara.
Mësohet se Mëhalla i njohur edhe si Edmond Hyka ka qenë i skeduar dhe i proceduar për shpërndarje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje. Ai kishte disa biznese në Elbasan, karburante dhe një kompani për shërbimi taksi.









