“Fermerët e Boçovës: ‘30 vite punë s’na i merr dot askush’ – kallëzim në Polici ndaj firmës së paneleve diellore”

Levan – Pasi ngritën zërin për zaptimin e tokave të tyre në fshatin Boçovë të njësisë administrative Levan, nga kompania “Bervi Construction”, në pronësi të bashkëshortes së Pëllumb Salillarit, 14 familjet e prekura i janë drejtuar Policisë së Fierit për të vijuar betejën e tyre ligjore.
Fermerët, të cilët tre ditë më parë denomcuan në media pranë tokave që pretendojnë se u janë marrë padrejtësisht për ndërtimin e paneleve diellore, paraditen e sotme u paraqitën në komisariatin e Policisë në Fier për të bërë një kallëzim kolektiv. Ata thonë se janë të vendosur ta çojnë çështjen në të gjitha instancat shtetërore, duke kërkuar drejtësi dhe rikthimin e pronave.
Në një prononcim për mediat, fermeri Sandër Muja i cili foli dhe në emër të fermerëve të tjerë të prekur nga kjo situatë kërkoi mbështetjen e shtetit dhe apeloi ndaj organeve të drejtësisë të ndërhyjnë sa më parë.

“Ne këto toka i punojmë prej 30 vitesh. Jemi taksapagues të rregullt. Prej 3 dekadash endemi nëpër institucione për t’u pajisur me çertifikatë pronësie dhe befas mësojmë se prej një viti çertifikatën e pronësisë e ka marrë një kompani private. Ne i disponojmë këto toka me ligjin 7501 dhe me AMTP të rregullta, ku shkruhet se toka është në pronësi dhe jo në përdorim,” – u shpreh Muja.
Ai shtoi se fermerët nuk do të lejojnë kurrë që mbi tokat e tyre, të cilat çdo vit i mbjellin me grurë, “të hidhen gurë”.
Ndërkohë, banorët shprehen të vendosur në kauzën e tyre, duke theksuar se kjo tokë është i vetmi burim jetese, dhe se nuk do të tërhiqen deri në zgjidhjen e situatës.









