SHËNDETTOP-NEWS

Hyn në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme, shtohen 55 alternativa të reja tregtare

Lista e përditësuar e barnave me rimbursim ka hyrë zyrtarisht në fuqi në të gjithë vendin, pas miratimit në Këshillin e Ministrave. Zbatimi i saj ka nisur në farmacitë dhe spitalet publike, duke sjellë zgjerim të aksesit për pacientët në trajtime të reja medikamentoze.

Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, lista e këtij viti është pasuruar me 55 barna alternativa tregtare të reja. Prej tyre, 35 barna janë shtuar në rrjetin e hapur farmaceutik, ndërsa 20 të tjera janë përfshirë në farmacitë spitalore për trajtimin e pacientëve të shtruar në spitale.

Burime nga ministria bëjnë me dije se 27 prej barnave të përfshira janë principe aktive të reja, të cilat nuk kanë qenë më parë pjesë e tregut farmaceutik shqiptar. Në total, lista përfshin 35 principe aktive, ku 27 janë barna të reja dhe 8 barna ekzistuese.

Barnat e shtuara synojnë trajtimin e patologjive më të përhapura dhe me ndikim të lartë në shëndetin e qytetarëve. Një peshë të rëndësishme në listë zënë medikamentet për sëmundjet onkologjike dhe ato kardiake, ku përfshihen edhe barna inovative që përdoren aktualisht në vendet e Bashkimit Europian.

Me ndryshimet e fundit, lista e barnave me rimbursim në Shqipëri arrin në 1,356 barna alternativa tregtare, duke zgjeruar mundësitë e trajtimit për mijëra pacientë në të gjithë vendin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button