Krerët e komuniteteve fetare bashkë për familjen

Krerët e komuniteteve fetare në vend, kanë kundërshtuar njëherësh martesat brenda gjinisë.
Këshilli Ndërfetar të Shqipërisë organizoi sot simpoziumin me temë “Së Bashku për Familjen: Dialog Ndërfetar dhe Institucional”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Familjes.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, theksoi rëndësinë jetike të familjes në ruajtjen e paqes sociale, edukimit dhe vlerave njerëzore e shpirtërore.
Ai u shpreh se familja mbetet institucioni themelor mbi të cilin ndërtohet shoqëria dhe se sfidat moderne kërkojnë një angazhim të përbashkët institucional dhe moral për mbrojtjen e saj.
“Familja është vendi ku njeriu mëson për herë të parë kuptimin e dashurisë, të përgjegjësisë, të sakrificës dhe të respektit për tjetrin dhe Zotin. Asnjë shoqëri nuk ka arritur të ndërtojë paqen e saj pa paqen brenda familjes”, u shpreh Kryetari Spahiu gjatë fjalës së tij.
Në vijim të fjalës së tij, ai theksoi edhe përgjegjësinë që komunitetet fetare kanë ndaj shoqërisë dhe familjes shqiptare.
“Ne, si komunitete fetare, kemi përgjegjësinë jo vetëm të flasim për familjen, por të jemi pranë saj, pranë të rinjve, prindërve, të moshuarve, pranë atyre që ndihen të vetmuar, të pasigurt apo të humbur në një kohë që ndryshon me shpejtësi”, u shpreh ai.
Ndonëse asnjë prej tyre nuk e përmendi drejtpërdrejtë, mesazhet e tyre, nënkuptuan ligjin për barazinë gjinore miratuar së fundmi.
“Traditat tona fetare, pavarësisht dallimeve bashkohen në një pikë të përbashkët në shenjtërimin e familjes. Do të qëndrojmë me vendosmëri përballë çdo sfide drafti apo ligji që synon të cënojë, dobësojë apo përçajë familjen shqiptare” u shpreh Baba Mondi.
“Në shoqëritë e sotme familja e bazuar në vlerat hyjnore dhe njerëzore ndjehet e rrezikuar nga tentativat për të ligjëruar lidhje jo natyrale’ tha përfaqësuesi i kishës ortodokse.
“Nuk kërkojmë asgjë tjetër veçse familjen natyrore, atë të Adamit dhe Evës, babait dhe nënës, të vetëm dy prindërve. Mbrojtja e familjes është rezistencë ndaj cdo sistemi të sotëm ideologjik që redukton njeriun në mjet, sic e shohim në formatin gender’ deklaroi imzot Arjan Dodaj.
Liderët shpirtërorë i argumentuan qëndrimet e tyre me urdhëresat e librave të shenjtë, ndikimin që ka të fëmijët, dëmin që sipas tyre i jep familjes dhe kërkuan të ruhen traditat shqiptare dhe të tregohet qëndresë ndaj tendencave që shkojnë në kahun e kundërt.











