Banorët e Ferrasit prej 3 vitesh pa ujë të pijshëm

Levan – Prej më shumë se 3 vitesh banorët e Ferrasit përballen me mungesën e ujit të pijshëm në rubinetat e banesave të tyre. Sipas banorëve, situata është përkeqësuar kur Bashkia Fier dhe ujësjellësi kanë ndërprerë furnizimin për këtë pjesë të fshatit.
Banorët pretendojnë se si shkak për ndërprerjen është përdorur pretendimi se një pjesë e konsumatorëve përdorin ujin pa paguar faturat dhe taksat përkatëse, por kjo gjë nuk është e vërtetë, pasi uji ka vite që nuk mbërrin në banesat e tyre.
Gjysma e banorëve të fshatit Ferras, në Njësinë Administrative Levan, prej vitesh përballen me mungesën e ujit të pijshëm në rubinetat e banesave të tyre në këto ditë përvëluese vere.






Sipas banorëve, situata është përkeqësuar prej rreth tre vitesh, kur Bashkia Fier dhe ujësjellësi kanë ndërprerë furnizimin për këtë pjesë të fshatit, duke bllokuar tubacionin magjistral që shërbente për furnizimin me ujë të pijshëm. Banorët pretendojnë se si shkak për ndërprerjen është përdorur pretendimi i ujësjellësit se një pjesë e konsumatorëve përdorin ujin pa paguar faturat dhe taksat përkatëse.
Por ata e kundërshtojnë këtë pretendim, duke thënë se uji nuk ka mbërritur prej vitesh në rubinetat e banesave të tyre dhe, për këtë arsye, nuk mund të konsiderohen konsumatorë të një shërbimi që nuk u ofrohet.





Banorët thonë se ndër vite janë ankuar pranë institucioneve vendore dhe ujësjellësit, por sipas tyre, nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete për zgjidhjen e problemit.Ata theksojnë se vijojnë të paguajnë detyrimet dhe taksat, ndërsa kërkojnë që institucionet të rikthejnë furnizimin me ujë të pijshëm dhe të riparojnë rrjetin ekzistues.
Për banorët e Ferrasit, problemi nuk lidhet vetëm me mungesën e një shërbimi bazë, por edhe me kushtet e jetesës dhe shpenzimet shtesë që u duhet të përballojnë çdo ditë për të siguruar ujë për familjet e tyre. Kushte të nevojshme ekonomike që nuk i kanë kanë bërë që një pjesë e mirë e tyre ta braktisin e të shkojnë në emigracion.














