KRYESOREPOLITIKË

Bardhi në VOA: Jemi shumë vonë me procesin e primareve brenda PD-së

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe kryetari i Grupit Parlamentar të saj Gazment Bardhi këmbënguli në qëndrimin se edhe anëtarët e diasporës që nuk kanë dokumenta shqiptare duhet të lejohen të votojnë, një kërkesë e cila shumica thotë se mund të lërë pa mituar ndryshimet që lehtësojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet e majit.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Bardhi shprehu shqetësimin se për primaret që pritet të mbajë për herë të parë forca e tij politike, duke thënë se mund të jetë shumë vonë për ta realizuar siç duhet këtë proces.

“Së pari, unë mendoj që çdo anëtar i Partisë Demokratike, ka vlerësuar dhe vlerëson së tepërmi faktin që Partia Demokratike sot është e bashkuar dhe padyshim që është e bashkuar, por edhe falë atij që ju e quajtët grupimi që unë drejtoja apo që drejtojë në emër të grupit parlamentar, që u bashkua më së fundmi, grupimi që drejtonte zoti Berisha.

Tashmë ne jemi gjithë Partia Demokratike dhe anëtarët e Partisë Demokratike. Në vlerësimin tim dhe sa unë shoh në kontaktet e përditshme me ata, vlerësojmë kontributin e secilit prej deputetëve për atë që ata kanë dhënë në mbrojtje të interesit publik. Pra, në këtë drejtim nuk kam një shqetësim.

Shqetësimi im lind për faktin se së pari jemi shumë vonë për këtë proces. Pra, jemi shumë afër zgjedhjeve dhe do të duhet të presim, nuk ka akoma rregulla të miratuara dhe do të duhet të presim rregullat dhe atë e kam thënë disa herë publikisht por edhe brenda institucioneve të partisë, që rregullat duhet të jenë të tilla që të mos krijojnë destabilitet në parti, të mos krijojnë përplasje në parti se kjo nuk do të ishte e shëndetshme tre muaj para zgjedhjeve.

Pra, shqetësimi im lidhet vetëm me këtë pjesë sepse në fund fare, secili prej nesh anëtarëve të Partisë Demokratike nuk ka interes kush janë emrat e deputetëve. Interesi jonë është që PD të fitojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është interesi madhor i çdo anëtari të PD-së” – tha Bardhi.

Ai shprehu vlerësimin që partia është tani e bashkuar dhe u bëri thirrje forcave të tjera politike që të bashkojnë votat për të fituar ndaj Partisë Socialiste në pushtet.

“Unë gjykoj që fragmentarizimi në vetëvete është i dëmshëm dhe kjo ka qenë arsyeja pse gjitmonë kam bërë thirrje që ne të jemi së pari të bashkuar brenda PD-së duke ruajtur secili prej nesh mendimet tona, por dhe të jemi të bashkuar si front opozitar. Opozita sot nuk ka luksin për të patur disa segmente brenda vetes ku kundërshtari është i unifikuar.

Opozita gjithashtu, nëse qëllimi është për të mundur Edi Ramën do të duhet të jetë e gjitha e bashkuar. Nëse pastaj, ndonjëra nga partitë që është krijuar apo trashëguar ka si qëllim thjeshtë të përçajë opozitën për të mbajtur në qeverisje edhe katër vite të ardhshme, pra pas 12 vitesh keqqeverisje Edi Ramën, t’i japësh atij mundësinë të ketë edhe një katërvjeçar, unë kam bindjen e plotë që çdo opozitar që dëshiron ndryshimin në Shqipëri e kupton këtë dhe nuk do ta çojë votën dëm te secila prej këtyre partive.

Pra, mirë apo keq ne do të duhet secili prej nesh duke ruajtur identitetin e vetë të grupohemi nën një formacion të përbashkët opozitar, duke ruajtur idetë, duke ruajtur propozime, duke ruajtur qëndrimet tona, pra nuk na bën kjo të unifikohemi, por do të duhet të përcaktojmë objektivin dhe nëse objektivi është të mundim Edi Ramën, atëherë fronti opozitar është e vetmja zgjidhje” – tha Bardhi.

Duke folur për SPAK-un dhe kritikat e kryetarit të partisë Sali Berisha ndaj tij, ai tha se nuk e ndan mendimin e tij se bëhet fjalë për “organizatë kriminale”, por tha se pret më shumë nga struktura kundër korrupsionit.

“Unë kam patur dhe e kam shprehur edhe publikisht qëndrimin tim sa i takon SPAK-ut. Unë e nxis dhe e kam nxitur gjithmonë SPAK-un të bëjë detyrën. Sigurisht që kam pritur dhe pres shumë më shumë për shkak të aferave të jashtëzakonshme korruptive që ndodhin apo që kanë ndodhur gjatë këtyre 12 viteve, pres shumë më shumë rezultate.

Unë pres të ketë hetime serioze ndaj Kryetari të Bashkisë së Tiranës i cili vazhdon të qëndrojë në detyrë edhepse vetë SPAK-u ka thënë në një deklaratë publike që është i dyshuar mbështetur në prova për konsumimin e katër veprave penale. Unë pres të kemi hetime serioze ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, pra pres që SPAK-u të performojë në mënyrë të pavarur dhe tërësisht profesionale në përputhje me ligjin” – tha Bardhi.

“Jo, jo nuk e kam quajtur kurrë (organizatë kriminale) sepse kam thënë që pavarësisht problemeve që ka Struktura e Posaçme Antikorrupsion brenda saj ka prokuror me integritet të cilët do të duhet të mbështetën që të bëjnë detyrën e tyre ashtu siç duhet. Në momentin që flasim, e vetmja thirrje që kam është që të veprojnë shpejt. Shqiptarët presin ndëshkime reale kundër korrupsionit” – tha Bardhi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button