BBC: Shpërthimi i flluskës së Inteligjencës Artificiale do jetë shumë i rëndë

Nga Lily Jamali, BBC
Në forumin ‘DevDay’ të OpenAI këtë javë, shefi i kompanisë, Sam Altman, bëri atë që shefat amerikanë të teknologjisë e bëjnë rrallë këto ditë: ai iu përgjigj me të vërtetë pyetjeve të gazetarëve.
“E di që është joshëse të shkruash historinë e flluskës,” më tha z. Altman ndërsa u ul i rrethuar nga bashkëpunëtorët e tij më të lartë. “Në fakt, ka shumë pjesë të Inteligjencës Artificiale që mendoj se tani janë paksa si flluskë”.
Në ‘Silicon Valley’, debati mbi atë nëse kompanitë e IA-së janë të mbivlerësuara, ka marrë një urgjencë të re.
Skeptikët, privatisht – disa tani edhe publikisht – po pyesin nëse rritja e shpejtë e vlerës së kompanive të teknologjisë së IA-së mund të jetë, të paktën pjesërisht, rezultat i asaj që ata e quajnë “inxhinieri financiare”.
Me fjalë të tjera – ekziston frika se këto kompani janë të vlerësuara më shumë sesa duhet.
Z. Altman tha se priste që investitorët të bënin disa zgjedhje të gabuara dhe start-up-et budallaqe do të fitonin para të çmendura.
Por me OpenAI, më tha ai, “këtu po ndodh diçka reale”.
Jo të gjithë janë të bindur.
Ditët e fundit, paralajmërime për një flluskë të IA-së kanë ardhur nga Banka e Anglisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar, si dhe shefi i JP Morgan, Jamie Dimon, i cili i tha BBC-së se “niveli i pasigurisë duhet të jetë më i lartë në mendjet e shumicës së njerëzve”.
Dhe këtu, në atë që shpesh konsiderohet kryeqyteti i teknologjisë në botë, shqetësimet po rriten.
Gjatë një paneli në Muzeun e Historisë së Kompjuterëve të ‘Silicon Valley’ këtë javë, sipërmarrësi i hershëm i IA-së, Jerry Kaplan, i tha një audience të mbushur se ka përjetuar katër flluska të mëparshme.
Ai është veçanërisht i shqetësuar tani, duke pasur parasysh madhësinë e parave në lojë krahasuar me bumin e internetit. Ka shumë më tepër për të humbur.
“Kur [flluska] shpërbëhet, do të jetë shumë keq, dhe jo vetëm për njerëzit në IA,” tha ai.
“Do të tërheqë poshtë pjesën tjetër të ekonomisë.”
Megjithatë, në ‘Stanford Graduate School of Business’, që ka nxjerrë një pjesë të mirë të sipërmarrësve të teknologjisë, prof. Anat Admati thotë se, megjithëse ka pasur shumë përpjekje për të modeluar se kur jemi në një flluskë, kjo mund të jetë një përpjekje e kotë.
“Është shumë e vështirë të matësh kohën e një flluske,” më tha prof. Admati. “Dhe nuk mund të thuash me siguri që ishe në një flluskë derisa ajo të shpërbëhet”.
Por të dhënat shqetësojnë shumë njerëz.
Ndërmarrjet e lidhura me IA përbënin 80% të fitimeve të jashtëzakonshme në tregun amerikan të aksioneve këtë vit – dhe Gartner vlerëson se shpenzimet globale për IA ka të ngjarë të arrijnë një shifër marramendëse prej 1.5 trilion dollarësh para se të përfundojë viti 2025.
Një rrjet i ndërlikuar marrëveshjesh
OpenAI, që solli IA te konsumatorët masivë me ChatGPT në vitin 2022, është në qendër të rrjetit të ndërlikuar të marrëveshjeve që po hetohen.
Për shembull – muajin e kaluar, ajo hyri në një marrëveshje 100 miliard dollarëshe me prodhuesin e çipave Nvidia, që vetë është kompania më e vlefshme në bursat botërore.
Kjo zgjerohet mbi një investim ekzistues që Nvidia kishte tashmë në kompaninë e z. Altman – me pritshmërinë që OpenAI do të ndërtojë qendra të dhënash të fuqizuara nga çipat e avancuar të Nvidia-s.
Më pas, të hënën, OpenAI njoftoi planet për të blerë pajisje miliarda dollarëshe për zhvillimin e IA nga konkurrenti i Nvidia-s, AMD, në një marrëveshje që mund ta bëjë atë një nga aksionarët më të mëdhenj të AMD-së.
Mos harro, kjo është një kompani private, edhe pse së fundmi e vlerësuar në gjysmë trilion dollarë.
Pastaj është gjiganti i teknologjisë Microsoft, që ka investime të mëdha, dhe gjiganti i ‘cloud computing’, Oracle, ka një marrëveshje 300 miliard dollarëshe me OpenAI gjithashtu.
Projekti ‘Stargate’ i OpenAI-së në Abilene, Teksas, financuar me ndihmën e Oracle dhe konglomeratit japonez SoftBank dhe njoftuar në Shtëpinë e Bardhë gjatë javës së parë të presidencës së Donald Trump, rritet çdo disa muaj.
Sa i përket Nvidia-s, ajo ka një pjesëmarrje në start-up-in e IA-së CoreWeave – që furnizon OpenAI-në me disa nga nevojat e saj masive të infrastrukturës.
Dhe ndërsa këto marrëveshje financiare gjithnjë e më komplekse po bëhen më të zakonshme, ekspertët këtu në Silicon Valley thonë se ato mund të mjegullojnë perceptimin për kërkesën ndaj IA-së.
Disa njerëz nuk e kursejnë gjuhën për këtë, duke i quajtur marrëveshjet “financim rrethor” ose “financim nga furnizuesi” – ku një kompani investon, ose u jep hua klientëve të saj, që ata të mund të vazhdojnë blerjet.
“Po, huatë e investimit janë të paprecedenta,” më tha z. Altman të hënën.
Por, shtoi ai, “është gjithashtu e paprecedentë që kompanitë të rritin të ardhurat kaq shpejt”.
Të ardhurat e OpenAI-së po rriten shpejt, por kompania kurrë nuk ka pasur fitim.
Dhe nuk është shenjë e mirë që njerëzit me të cilët kam folur vazhdojnë të përmendin Nortel – kompania kanadeze e telekomunikacionit që merrte hua në mënyrë masive për të ndihmuar në financimin e marrëveshjeve për klientët e saj (dhe kështu rriste artificialisht kërkesën për produktet e saj).
Për pjesën e tij, Jensen Huang i Nvidia-s mbrojti marrëveshjen e tij me OpenAI-në në CNBC të hënën, duke thënë se kompania nuk është e detyruar të blejë teknologjinë e tij me paratë që investon.
“Ata mund ta përdorin për çfarë të duan,” tha Huang.
“Nuk ka asnjë ekskluzivitet. Qëllimi ynë kryesor është thjesht t’i mbështesim dhe t’i ndihmojmë të rriten – dhe të rritet ekosistemi”.
Shenjat paralajmëruese
Z. Kaplan thotë se sheh disa shenja paralajmëruese se sektori i AI-së – dhe rrjedhimisht ekonomia më e gjerë – mund të ketë probleme.
Në kohë të tilla, thotë ai, kompanitë njoftojnë iniciativa dhe plane produktesh të mëdha për të cilat ende nuk kanë kapital.
Ndërkohë, investitorët privatë përpiqen të hyjnë në aksionet e start-up-eve.
Rritja e aksioneve të AMD-së këtë javë mund të tregojë se investitorët po përpiqen të marrin një pjesë nga “pasuria” e ChatGPT-së – dhe ndërsa kjo po ndodh, po ndërtohet infrastruktura reale fizike për të kënaqur etjen që duket e pangopshme për zhvillim më të madh të IA-së.
“Po krijojmë një katastrofë të re ekologjike të krijuar nga njeriu: qendra të mëdha të të dhënave në vende të largëta si shkretëtirat, që do të kalben dhe do të lëshojnë gjëra të këqija në mjedis, pa asnjë përgjegjësi sepse ndërtuesit dhe investitorët do të jenë larguar prej kohësh,” tha z. Kaplan.
Por edhe nëse jemi në një flluskë, shpresa nga ‘Silicon Valley’ është që investimet që po bëhen tani nuk do të shkojnë domosdoshmërisht kot.
“Gjëja që më jep ngushëllim është se interneti u ndërtua mbi hirin e mbipagesave të investimeve në infrastrukturën e telekomit të dikurshëm,” tha Jeff Boudier, i cili krijon produkte në qendrën komunitare të IA-së, Hugging Face.
“Nëse ka mbipagesa në infrastrukturën e IA-së, mund të ketë rreziqe financiare të lidhura me të,” tha ai.
“Por kjo do të mundësojë shumë produkte dhe eksperienca të reja, përfshirë edhe ato për të cilat nuk po mendojmë sot”.
Ka plot besimtarë në potencialin e AI-së për të transformuar shoqërinë.
Pyetja është nëse paratë për të financuar ambiciet e kompanive kryesore në sektor po pakësohen.
“Nvidia duket si i fundit që mund të japë hua ose të investojë,” tha Rihard Jarc, themelues i buletinit UncoverAlpha.
“Kush tjetër ka tani kapacitetin të investojë 100 miliard dollarë në një kompani tjetër?”












