Berisha: Daniel Shima 4 orë në bodrumin e Suel Çelës në Elbasan!

Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, kreu i PD-së Sali Berisha ka rikthyer edhe një herë ngjarjen disa ditëve më parë, kur dëshmitari i aferave të korrupsionit tek AKSHI, Daniel Shima u zhduk për disa orë dhe u rikthye sërish në mesnatë në shtëpinë e tij. Shima u rikthye pasi i kishte dërguar një mesazh i alarmuar të dashurës së tij ku i shkruante se po e arrestonin, ndërsa u kthye me versionin qesharak se ishte larguar pas një grindjeje me të.
Por që pas lajmit për zhdukjen e Daniel Shimës, askush nuk e ka sqaruar se ku përfundoi ish-zv.drejtori i AKSHI-t në orët e natës.
“Nga dita e kthimit në shtëpi, thuhet i torturuar mizorisht e deri sot, në një kod omerta askush nuk flet më për Danielin. Kodi i plotë omerta pas kthimit të tij mund ta vendoste vetëm kreu i organizatës, pra Rama dhe askush tjetër. Të gjithë heshtin dhe vetëm heshtin. Vetë ai hesht si fije bari, kafeja tek Poja ishte lule krahasuar me torturat prej 4 orësh në bodrumin e Çelës. Heshtin mediat, emri Daniel nuk ekziston më në asnjë media dhe asnjë gazetar nuk mori mundimin të hetojë rreth gjendjes së tij. Hesht Avokati i Popullit, hesht shoqëria civile…” shkruan Berisha, që akuzon direkt Edi Ramën si urdhërues të pengmarrjes së Daniel Shimës dhe si njeriu i vetëm që mund të heshtë të gjitha institucionet për zhdukjen e Shimës. Mesazhi i Berishës më poshtë:
Për Danielin askush nuk flet!
Miq, Danieli u harrua. Daniel Shima u arrestua, rrëmbye në orën 13:30 të datës 20 gusht siç njoftoi vetë me një mesazh dërguar familjes: ‘Po më arrestojnë’ që do ishte SOS shpëtimtar për jetën e tij. Danieli nuk u arrestua nga policia zyrtare e narko-shtetit as dhe nga prokuroria e Altin “Troplinit” që rrëmbeu gazetarin Elton Qyno. Danieli u rrëmbye, arrestua si Stafuka që u zhduk pa nam e nishan nga policia private që në operacione të saj speciale vesh uniformën e policisë së shtetit dhe ka kompetenca më speciale se sa dy të parat. Ajo varet direkt nga kreu i narko-shtetit. Për Danielin, ish-zëvendës drejtorin e përgjithshëm të AKSH, dihet se u shkarkua më 19 mars 2024 nga famëzeza Karçanaj pas seancës shumë orëshe në SPAK dhe njohjen me sa duket me dëshmitë e tij tronditëse. Për Danielin dihet se ai është nga ata zyrtarë të lartë që është kërcënuar direkt personalisht nga Edi Rama, mbasi AKSHI konsiderohet si miniera e floririt të Edi Ramës dhe familjes së tij. Besohet se Danieli është personi që kontribuoi në vendosjen e çimkave që regjistruan bisedën e G. Meçes me një person tjetër ku lakohej emri i Armand Fangut dhe kunatës së tij Linda Ramës. Për të gjitha këto, Danielit duhet t’i mbyllej goja përgjithmonë. Sipas qytetarit dixhital një muaj më parë Danielin e kishin dërguar për një ‘kafe’ tek Poja por ai pas kësaj ‘kafeje’ kishte shkelur kodin dhe tani u vendos të dërgohej për mësimin e fundit tek Çela. Jo vetëm në arrestimin e tij por edhe në rikthimin e tij dukej qartë dora e zezë e shtetit. Pas një zhdukje prej rreth 12 orë gjithçka u qartësua. Danieli u kthye në dy të natës në shtëpi i bërë fërtele psikologjikisht dhe fizikisht. Rikthimi i Danielit tregon se rrëmbyesit e tij nuk e kishin rrëmbyer atë për llogari të tyre por me porosi. Porositësit e lartë të grabitjes, për shkak të zhurmnajës së madhe që u ngrit në media nga mesazhi i tij, gjykuan se për ta ishte më me leverdi ta linin të gjallë dhe pa gojë si në rastin e zyrtarëve të tjerë se sa ta zhduknin atë, mbasi të akuzuar kryesor për këtë krim tashmë të paralajmëruar do ishin vetë Edi Rama dhe koordinatori i tij për krimin famëziu Agasi. Por edhe paskthimi i Danielit flet po aq shumë për dorën e zezë të shtetit në krimin që tronditi dheun. Nga dita e kthimit në shtëpi, thuhet i torturuar mizorisht e deri sot, në një kod omerta askush nuk flet më për Danielin. Kodi i plotë omerta pas kthimit të tij mund ta vendoste vetëm kreu i organizatës, pra Rama dhe askush tjetër. Të gjithë heshtin dhe vetëm heshtin. Vetë ai hesht si fije bari, kafeja tek Poja ishte lule krahasuar me torturat prej 4 orësh në bodrumin e Çelës. Heshtin mediat, emri Daniel nuk ekziston më në asnjë media dhe asnjë gazetar nuk mori mundimin të hetojë rreth gjendjes së tij. Hesht Avokati i Popullit, hesht shoqëria civile… Kjo heshtje e tmerrshme flet vëllime të tëra për shoqërinë në narkodiktaturë. Të krijohet përshtypja se me heshtjen e tyre të gjithë i druhen fatit të Danielit. Por heshtja për Danielin është një akuzë morale për të gjithë ata që heshtin sepse po zbatojnë verbërisht kodin omerta që nuk është i tyre por i narkoshtetit. sb








