KRYESOREPOLITIKË

Berisha me “bukë në torbë” Ballukut për 10 mijë eurot që lajnë makinën

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër lidhur me tenderin e Ministrisë së Infrastrukturës për larjen e makinave zyrtare, ku sipas tij, janë shpenzuar 10 mijë euro në muaj, përfshirë larjen e makinës personale të ministres Belinda Balluku.

Në një deklaratë të fortë, Berisha akuzoi ministren për shpërdorim të skajshëm të taksave të qytetarëve, në një kohë kur – siç tha ai – “pensionistët numërojnë kafshatën dhe të sëmurët vdesin për mungesë ilaçesh”.

“Nuk ndodh që një ministre të shpenzojë për larjen e makinës së saj 10 mijë euro në muaj. Ajo nuk ka në gjakun dhe shpirtin e saj një qelizë njerëzie. Sepse po të kishte, nuk i lejonte vetes të bënte një shpenzim të tillë kur pensionistët numërojnë kafshatën,” – deklaroi Berisha.

Duke vijuar më tej me kritikat ndaj qeverisë, ai e cilësoi aktin si provë të një shkëputjeje totale nga realiteti i qytetarëve të zakonshëm, duke theksuar se kjo ndodh në një vend ku varfëria dhe mungesa e kujdesit shëndetësor vijojnë të marrin jetë.

“Ajo nuk mund ta bënte kurrë një akt të tillë. Në një kohë kur të sëmurët nuk vdesin nga sëmundja, por nga mungesa e ilaçeve,” – u shpreh ai.

Spa për Audin e Belinda Ballukut, shpenzime luksi me taksat e fukarenjve

Berisha paralajmëroi gjithashtu një “përgjigje të merituar” për këtë që ai e quajti shpërdorim kriminal të fondeve publike, duke e lidhur këtë rast me një panoramë më të gjerë të korrupsionit dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar.

“Nuk mund të ketë asnjë mëdyshje se ne do t’i japim përgjigjen e merituar kësaj situate. Nga organet e policisë së shtetit do të largohen të gjithë ata që janë të inkriminuar,” – tha Berisha.

Ai përmendi edhe ekzistencën e një dosjeje voluminoze që sipas tij përmban prova për lidhjet midis politikës dhe krimit të organizuar:

“Dosjen 1 milion faqe të bisedave telefonike që dëshmojnë lidhjet e tmerrshme të politikës me krimin do zbardhen dhe do bëhen publike, në mënyrë që shqiptarët të ndahen nga bota e krimit, nga droga dhe t’i rikthehen ligjit.” u shpreh Berisha gjatë një aktiviteti për çështjen e sigurisë dhe rendit në vend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button

This will close in 0 seconds