
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Lirisë ka bërë një deklaratë gjatë takimit të zhvilluar në teatrin Bylis për reformën territoriale, ku ka kërkuar rishikimin e ndarjes aktuale administrative në vend.
Sipas tij, në shumë zona rurale qytetarët po përballen me mungesë shërbimesh dhe distanca të largëta për të marrë dokumente apo shërbime bazë. Ai theksoi se duhet të rritet numri i bashkive dhe zona si Levani, Cakrani, Libofsha apo zona të tjera të rëndësishme administrative duhet të kenë status bashkie.
Në deklaratën e tij, ai u ndal edhe te situata në Mallakastër, duke u shprehur se kjo zonë nuk duhet ‘të shpërndahet apo të shpërbëhet’, ndërsa shtoi se vendimmarrja duhet t’u takojë vetë qytetarëve, në përputhje me standardet europiane të vetëqeverisjes vendore.
Ndërkohë, deputetja e Partisë Lirisë Brunilda Haxhiu, deklaroi se reforma territoriale e realizuar nga Partia Socialiste ka dështuar, pasi sipas saj shërbimet janë larguar nga qytetarët dhe fshati është lënë pas dore.
Ajo solli si shembull banorët e zonave të largëta, të cilët detyrohen të udhëtojnë kilometra të tëra për të marrë një certifikatë apo një shërbim administrativ.
‘Qytetarët nuk mund të detyrohen të lëvizin nga fshatra të largëta drejt qendrave të bashkive vetëm për një dokument. Janë vetë banorët ata që duhet të vendosin për ndarjen territoriale dhe mënyrën e organizimit të shërbimeve’, u shpreh deputetja.









