“Corriere” zbardh dëshminë tronditëse të shqiptarit që vrau ish-gruan e tij

Një skenë tronditëse e një vrasjeje të paramenduar. 45-vjeçarja shqiptare Gentiana Kopili (Hudhra) u godit për vdekje me një thikë me një teh rreth 30 centimetra të gjatë, nga ish-burri i saj të shtunën në mbrëmje në Tolentino (në zonën e Maceratës) të Italisë. “Corriere” shkruan se burri iu afrua me një skuter.
Nuk ishte rastësi që ai, 55-vjeçari shqiptar Nikollaq Hudhra mbërriti në qendër të fshatit me atë mjet të pazakontë. Nëse do të kishte mbërritur me makinë, gruaja “do ta kishte njohur” dhe ndoshta duke ikur me vrap.

Fakti është se ajo u godit menjëherë me thikë. Disa herë, me egërsi. Gentiana (një kujdestare shtëpish, ndërsa ish-burri i saj një fermer që punon në zonën e Perugias) bërtiti dhe ra përtokë. Hudhra e goditi më pas me shqelma. Pjesa tjetër është filmuar me telefona celularë nga dritaret e disa dëshmitarëve. Burri u ul në një stol, i palëvizshëm, me shikimin e kthyer nga pika e sulmit.
Shfaqet një burrë tjetër, i shokuar. Ai ecën i nervozuar para-mbrapa pranë trupit ndërsa një dëshmitar tjetër mbetet në këmbë, i palëvizshëm, me shikimin e tij të fiksuar te vrasësi i dyshuar, pothuajse i paralizuar nga tronditja. “Bëra atë që duhej të bëja, tani telefononi policinë” – pëshpëriti Hudhra. Ata mbërrijnë pak më vonë dhe e prangosin.

Hetimet e para përcaktojnë paramendimin e kësaj vrasjeje. Ajo është gruaja e 33-të që vritet në Itali që nga fillimi i vitit. Hetuesit gjetën në makinën e autorit një palë thikash të tjera. Atë me të cilën vrau Gentianën e mbështolli në një qese duke e futur nën tutat që përdorte për punë dhe u nis në vendin ku ndodhi sulmi.

Gruaja ishte në telefon me një mik kur u godit nga pas për herë të parë. Numri i përgjithshëm i goditjeve me thikë ishte rreth 10. I marrë në pyetje nga karabinierët dhe i ndihmuar nga avokatja Lucia Testarmata, ai pranoi gjithçka. Tha se e kishte kaluar ditën me djalin e tij më të vogël, Marion, 21 vjeç (më i madhi, Samueli, është 23 vjeç).
Pastaj shkoi në Tolentino për të vrarë Gentianën. Tha se e bëri për të “shpëtuar fëmijët e tij. Ajo donte t’i helmonte, donte të më helmonte mua. Më duhej t’i shpëtoja. Ishte hera e tretë që doja ta bëja. Ia dola me skuter sepse ajo e njeh makinën time” – tha ai.

Një tablo e qartë për hetuesit, të cilët po vlerësojnë nëse duhet të kryejnë një vlerësim psikiatrik mbi autorin, të cilin megjithatë e kanë akuzuar për vrasje me paramendim dhe mizori. Vrasësi e kaloi natën e parë në izolim në burgun Montacuto në Ankona dhe seanca masës së sigurisë duhet të zhvillohet të hënën ose të martën. Kohët e fundit, shpjegojnë hetuesit, “nuk ka pasur shenja të një rreziku të afërt për sigurinë e gruas” e cila shkonte rregullisht në punë si kujdestare.