
Cristiano Ronaldo ka folur në konferencën e fundit për shtyp para sfidës së 1/8-ave të Botërorit 2026 ndaj Spanjës, duke shmangur pyetjet për të ardhmen e tij dhe duke u përqendruar te ndeshja e rëndësishme e radhës.
Kapiteni i Portugalisë u shpreh qartë për rolin e tij në kombëtare dhe për vazhdimësinë e karrierës me fanellën përfaqësuese. “Unë jam gjithmonë me zemër dhe shpirt për të ndihmuar Kombëtaren. Duke luajtur ose jo, gjithmonë do të kem një rol të rëndësishëm. Do të largohem kur të dua unë, jo kur doni ju. Është humbje kohe të më bëni gjithmonë të njëjtën pyetje. Por nuk dua t’i kthej vëmendjen kësaj. Më e rëndësishmja është ndeshja e nesërme”, tha ai.
Duke folur për ambiciet e Portugalisë në turne, Ronaldo theksoi se skuadra beson plotësisht te suksesi final. “Nëse nuk do të kishim idenë se mund ta fitojmë Botërorin, nuk do të ishim këtu. Ka qenë një eksperiencë e bukur. Kemi përmirësuar lojën nga ndeshja në ndeshje. E dimë që është një kompeticion ku është e pamundur të luash gjithmonë mirë dhe nuk është e lehtë për askënd”, u shpreh ai.
Ai shtoi se skuadra është e qetë dhe e përgatitur mirë për sfidën ndaj Spanjës, duke e cilësuar atë si një kundërshtar shumë të vështirë në këtë fazë të turneut.
Cristiano Ronaldo ka bërë të ditur se Kupa e Botës 2026 do të jetë e fundit në karrierën e tij me përfaqësuesen e Portugalisë. ‘Ylli’ portugez e konfirmoi këtë vendim në konferencën për shtypin në prag të sfidës së 1/8-ave ndaj Spanjës, duke u dhënë fund spekulimeve të fundit për të ardhmen e tij në Kombëtare.
“Botërori i fundit… (qesh). Pyetje interesante, më pëlqeu”, u shpreh fillimisht Ronaldo me ironi, përpara se të jepte deklaratën e shumëpritur. “Ajo që mbetet janë njerëzit, ata që na duan dhe me të cilët ndajmë momente të veçanta. Janë kujtime spektakolare. Është e rëndësishme ta shijojmë maksimalisht. Po, ky do të jetë Botërori im i fundit”, tha kapiteni i Portugalisë.
Me këtë deklaratë, Ronaldo konfirmon se pas pjesëmarrjes së tij të gjashtë në një Kupë Bote, ai nuk do të jetë pjesë e edicionit të vitit 2030 që pritet të zhvillohet në Portugali dhe Spanjë.
Sulmuesi 41-vjeçar foli gjithashtu për kritikat që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë dhe të suksesshme, duke theksuar rëndësinë e fokusimit te puna dhe pasioni. “Nëse i dëgjon kritikat, je i humbur. Ka kritika konstruktive dhe të tjera që të ‘vrasin’. Është pjesë e lojës. Duhet të përqendrohesh tek ata që të duan dhe te pasioni për futbollin”, u shpreh Ronaldo.
Ai shtoi se për një karrierë të gjatë është e rëndësishme përgatitja mendore dhe aftësia për të përballuar presionin, duke theksuar se kritikat janë pjesë e pandashme e futbollit dhe e jetës së një sportisti të nivelit të lartë.










