Digjet furgoni me targa të Maqedonisë së Veriut në Lushnjë, ngordhin mbi gjysma e zogjve të ngarkesës

Një automjet tip furgon, me targa të Maqedonisë së Veriut, është përfshirë nga flakët mëngjesin e kësaj të shtune në afërsi të zonës së Pushimit të Shoferit, në Lushnjë.
Furgoni transportonte zogj të vegjël të fushës, të ardhur nga shteti fqinj. Drejtuesi i automjetit ka konstatuar zjarrin vetëm pasi kishte dalë nga autostrada dhe po lëvizte në drejtim të Këmishtajt.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet zjarrfikëse të Lushnjës, të cilat kanë ndërhyrë me shpejtësi duke bërë të mundur shuarjen e flakëve, të përqendruara kryesisht në pjesën e kabinës së drejtuesit.
Megjithatë, zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në ngarkesë. Më shumë se gjysma e zogjve që transportoheshin në furgon kanë ngordhur si pasojë e flakëve dhe tymit.
Sipas shërbimit zjarrfikës të Lushnjës, dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një defekt në sistemin e kondicionimit të pjesës së ngarkesës.
Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po kryejnë veprimet përkatëse për dokumentimin e rastit.









