Dita e katërt e grevës së urisë së naftëtarëve, një grevist merr mjekim, “Nuk tërhiqemi pa zgjidhje”

Marinzë – Greva e urisë e dhjetë anëtarëve të Këshillit Drejtues të Sindikatës së Naftëtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum” ka hyrë në ditën e saj të katërt, ndërsa tensioni dhe shqetësimi sa vijnë e shtohen. Në ambientet ku janë strehuar grevistët, lodhja, uria dhe i ftohti janë bërë pjesë e përditshmërisë, por pavarësisht gjendjes së rënduar, ata thonë se nuk do të tërhiqen pa marrë përgjigje për kërkesat e tyre.
Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, një prej grevistëve ka pasur nevojë për ndërhyrje mjekësore pas përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Një ekip mjekësh ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kryer vizita tek të gjithë grevistët, ndërsa gjendja e përgjithshme e tyre po përkeqësohet ditë pas dite. “Ne jemi të vendosur. Kauza jonë është e drejtë dhe nuk ka kthim pas”, janë shprehur disa prej tyre.
Ndërkohë, jashtë ambienteve ku po zhvillohet greva, protestues të tjerë, punonjës të fushave të naftës, qëndrojnë çdo ditë në mbështetje të kolegëve të tyre. Për të katërtën ditë me radhë ata kanë bojkotuar punën, duke lënë pa mbikëqyrje rreth 400 puse prodhimi në zonën naftëmbajtëse, si shenjë solidariteti dhe presioni ndaj kompanisë.
Drejtuesi i grevës, Dritan Shaho, në një deklaratë për mediat u shpreh se grevistët janë të vendosur ta çojnë deri në fund kauzën e tyre, pavarësisht mungesës së çdo reagimi apo kontakti nga drejtuesit e kompanisë “Bankers”. Ai bëri publike edhe një shkresë që i kishte mbërritur me postë dhe email, ku kërkohej identifikimi i grevistëve dhe protestuesve. “U kemi kthyer përgjigje të qartë – pjesëmarrja në grevë dhe protestë është e lirë, askush nuk mund të na ndalojë të kërkojmë të drejtat tona”, theksoi Shaho.
Në terren, situata mbetet e vështirë. Mot i ftohtë, reshje shiu dhe netë të gjata në çadra, ndërsa gjendja fizike e grevistëve rëndohet dita-ditës. Megjithatë, mbështetja nga kolegët që i vizitojnë çdo ditë, i mban të fortë dhe të vendosur. Protestuesit qëndrojnë në hyrje të godinës që nga orët e para të mëngjesit deri në mbrëmje vonë, duke u bërë zëri i atyre që nuk kanë më forcë të flasin.
Nga ana tjetër, drejtuesit e kompanisë “Bankers Petroleum” nuk kanë ndërmarrë deri më tani asnjë hap konkret për negociata apo dialog. Kjo heshtje, sipas sindikalistëve, po e përkeqëson më tej situatën, duke rritur rrezikun për shëndetin dhe jetën e grevistëve.
Greva e urisë dhe protesta e naftëtarëve pritet të vijojë edhe në ditët në vijim, në pritje të një reagimi zyrtar nga kompania apo nga autoritetet përgjegjëse. Ndërsa për momentin, fjala e përbashkët që dëgjohet në çdo çadër e në çdo bisedë mbetet e njëjtë:






