AKTUALITETTOP-NEWS

“Refugjat në vendin tim”. Historia prekëse e Ago Nuhajt, naftëtarit që ka derdhur jetën në puse.

Marinzë – Ka lindur pranë ish-Kombinatit të Thellë të Naftës në Ballsh, është rritur mes aromës së rëndë të hidrokarbureve dhe zhurmës së pompave të vjetra që nxirrnin arin e zi nga nëntoka. Quhet Ago Nuhaj dhe prej gati dy dekadash punon në fushat naftëmbajtëse të Marinzës. Por, prej 12 vitesh jeton në Tiranë, ku përpiqet të mbajë familjen me tre vajza. “Refugjat në vendin tim,” – thotë me ironi të hidhur, ndërsa fytyra i mbushet me rrudha nga vjetët dhe lodhja.

Ago e ka pasur naftën në çdo hap të jetës. Ai tregon se rrënjët e kësaj lidhjeje të pashkëputur janë familjare: edhe babai, xhaxhai dhe vëllai kanë punuar në sektorin e naftës. Por për këtë familje, puna në naftë nuk ka qenë thjesht mënyrë jetese, ka qenë plagë.
“Babai im ka vdekur në pus, në punë. I ra arrest kardiak, 53 vjeç. Më pas edhe vëllai,  të gjithë e mbyllën jetën në punë. Nafta na ka mbajtur, por edhe na ka marrë jetët,” – thotë ai me zë të ulët.

Sot, në moshën 57-vjeçare, Ago e ndien trupin e lodhur, por shpirtin e mbushur me zemërim. Tregon se puna është e rëndë, kushtet të vështira dhe pagesa e ulët. “Kam profesion teknik kaldaje. Punoj me automjet, por aty ku duhen dy apo tre veta për një vend pune, punoj unë vetëm. Dhe për të gjitha ato orë e mundime, marr 87 mijë lekë të reja në muaj. Me ato ushqehemi pesë veta,”  rrëfen ai, me një buzëqeshje të hidhur që më shumë duket si dorëzim.

Kushtet e jetesës, sipas tij, janë degraduese. “Jetojmë, nuk na del. Thjesht hamë bukë. Jemi kthyer si në kohën e Enver Hoxhës. Në atë kohë, naftëtarët dilnin në pension në moshën 55 vjeç, sot po na e çojnë 65. Nuk na njohin as statusin e naftëtarit. Hallet mund t’i zgjidhin për një orë, por nuk duan,” – shprehet ai me indinjatë.

Ago është pjesë e grupit të punëtorëve të kompanisë “Bankers Petroleum”, që prej ditësh janë futur në grevë urie për të kërkuar të drejtat e tyre. Ai është ndër më të zëshmit në këtë betejë dhe nuk nguron të thotë se nuk do të tërhiqet.
“Nuk ka tërheqje pas! Babai më vdiq 53 vjeç, unë jam 57. Nuk do rrojë 300 vjet. Një jetë kam. Kjo është lufta ime. Protestë e grevë deri në vetëflijim, nëse duhet,” – thekson me ton të prerë.

Screenshot 20251017 110230 gallery1907318263452243557

Në zërin e tij përzihet lodhja me revoltën, por edhe dashuria për profesionin që e ka mbajtur gjallë për dekada. Ai ka një apel të drejtpërdrejtë për drejtuesit e kompanisë:
Boll më! Nuk mbahet kompania me pesë veta! Ktheni sytë nga punëtorët! Nuk ka më kompromis! Ju po akuzoheni si grup i strukturuar kriminal. Mos luani më me jetët tona!”

Ago Nuhaj është një nga dhjetëra naftëtarët që sot kërkojnë jo vetëm pagesat e prapambetura, por edhe njohjen e statusit të naftëtarit, që për ta do të thotë respekt për punën dhe për jetën e kaluar në kushte ekstreme. Ai është babai i tre vajzave dhe, si shumë të tjerë në sektorin e naftës, ka dhënë gjithçka për kompaninë, ndërsa ka marrë shumë pak në këmbim.

Nga puna e rëndë dhe ndotja, familja e tij ka humbur një brez të tërë burrash. Sot, ai e di se nuk është më i ri, por nuk ka ndërmend të dorëzohet.
“Nafta është në gjakun tonë, por nuk do lejojmë që ajo të na varrosë gjallë,” – përfundon Ago Nuhaj, duke lënë pas një mesazh që përmbledh dhimbjen dhe krenarinë e një jete të tërë të derdhur në pusin e naftës./ALB365/Xhemil Beharaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button