Djemtë e Apolonisë, thesari i ri quhet Trifoni

Fier – Apolonia si çdo sezon luan me djem të rinj, një miks shqiptaro-afrikan që funksionon, edhe pse është e qartë që për të synuar majat e renditjes duhen thasë me para dhe shumë eksperiencë.
Pas startit të ngadaltë, dje Apolonia luajti një ndeshje mjaft të vështirë në Luz kundër Besës. Në stolin e kavajasve debutonte një ekspert si Shpëtim Duro, me të cilin pritej kthesa.
Megjithatë, pas golit të shënuar nga kavajasit, përmbysja fierake erdhi në një minutë.
Shenuan dy lojtarë që duhen pasur nën vëzhgim nga klubet e Superiores, Xhovalin Trifoni Dhe Mesoma Umejiego.
Trifoni është vetëm 21 vjeç dhe shënoi 13 gola sezonin e shkuar, një anësor i djathtë sulmues mjaft teknik dhe me nuhatje për gol, duke formuar një sulm të frikshëm me Maksutin dhe pikërisht Umejiegon.
Ky i fundit është 22 vjeç, ka nisur sezonin e katërt në Fier dhe ka kaluar 30 golat në Shqipëri. Një tank i vërtetë fizikisht, ndihmon shumë gjithë sulmuesit me dominimin fizik dhe përplasjet pa fund.
Miniera fierake nuk ndalet së prodhuari, mjafton pak besim për të gjetur pse jo Uzunin e radhës.









