Ekipi i DEA-s (Administrata e Zbatimit Ligjor kundër Narkotikëve) ka mbërritur në Shqipëri. Agjenti special Brendan Leddy, së bashku me personelin e DEA-s do të bashkëpunojnë ngushtë me SPAK dhe homologët shqiptarë. Ky bashkëpunim bëhet në kuadër të zbatimit të ligjit për forcimin e partneritetit në operacionet ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar.
Ekipi i DEA-s është pritur nga Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.
“Ambasada e SHBA ka kënaqësinë të mirëpresë në Shqipëri agjentin special të Administratës së Zbatimit Ligjor kundër Narkotikëve (DEA), Brendan Leddy. Ambasadorja Kim u takua me agjentin special Leddy për ta mirëpritur atë në ekip dhe për të diskutuar të ardhmen e pranisë së DEA-s në Shqipëri. Agjenti Special Leddy së bashku me personelin shtesë të DEA-s do të bashkëpunojnë ngushtë me SPAK dhe homologët shqiptarë të zbatimit të ligjit për forcimin e partneritetit në operacionet ndërkombëtare kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar. Agjenti Special Leddy do të mbështesë më tej ndërtimin e aftësive në teknikat e hetimit kundër narkotikëve”-shkruhet në njoftimin e ambasadës.
Zyra e DEA-s në Shqipëri do të jetë lidhje e zyrës qëndrore në Athinë. Pjestare të Dea-s do të jenë bashkë me policinë shqiptare në kontrolle kufitare si porte aeroporte e pika tokësore. Filiali i DEA-s ka fokus luftën ndaj trafikut të drograve kryesisht kokainën e cila vjen nga Amerika Latine.