Wednesday, March 22, 2023
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomePOLITIKËOPINION/ ANALIZËEDI RAMA LIGJI DHE MALIQI

EDI RAMA LIGJI DHE MALIQI

Nga Blendi Kajsiu – Mënyra se si u shemb rezorti Prestizh tregoi edhe një herë se Shqipëria qeveriset nga Maliqi dhe jo nga ligji. Shpejtësia me të cilën u bllokua dhu hodh në erë hoteli, tejkalimi i procedurave administrative, evitimi i hallkave gjygjësore tregojnë qartë se shëmbja në fjalë u bë me urdhër nga lart, d.mth. nga zoti Maliq Rama. Të njëtën gjë tregon edhe fakti që ndërtime të tjera që nuk kanë leje fare nuk janë shembur.

Natyrisht me këtë nuk po argumentoj se rezorti në fjalë ishte në rregull me letrat dhe në harmoni me ambientin dhe aq më pak që duhet të ish ndërtuar në kurriz të pishave dhe bregdetit. Përkundrazi betonizmi i bregdetit është një nga atentatet e vazhdueshme që i bëhet natyrës sonë. Ama edhe ky atentat u bë me lejen e Maliqit dhe jo të ligjit.
Në fakt është po kryeminsitri që na thotë sot se ndërtimi në fjalë ishte në kundërshtim me ligjin dje. Natyrisht pyetja që shtrohet është; si u lejua dje ndërtimi i një rezorti në zemër të Shqipërisë, nën hundën e shtetit dhe në kundërshtim me ligjin?
Përgjigja na çon përsëri tek Maliqi. Rezorti u lejua, sikurse edhe shumë të tjerë, sepse ky ishte vullneti i tij. Në fakt pronari i rezortit mund ta injoronte ligjin për sa kohë përdorte grupin e tij mediatik për ti bërë fresk kryeministrit dhe qeverisë. Ai mund të ngrinte hotele në bregdet mbi lartësinë e pishave dhe mund të përvetësonte mijëra metra katrorë tokë publike, madje edhe detin.
Në fakt jo vetëm ai. Qeverisja aktuale ka ngritur një sistem të tërë që ia fal pronën publike dhe bregdetin klientëve të saj. Mjafton të marrësh statusin e investitorit strategjik, që në analizë të fundit e jep po vetë kryeministri, dhe mund të betonizosh bregun, mund të përvetësosh hapësirën publike dhe të mos paguash taksa. Është një sistem që edhe formalisht e redukton ligjin tek Maliqi.
Kjo ka krijuar një klientelë të gjerë biznesesh që zaptojnë hapësirën publike, përfitojnë fondet publike, injorojnë ligjin dhe nuk paguajnë taksa për sa kohë i bëjnë fresk Maliqit. Në momentin që ftohen me të, apo u prishen pazaret, qeveria fillon dhe shqetësohet për ligjin që në fakt aktivizohet vetëm me vullnetin e Maliqit. Këtë tregoi në mënyrën spektakolare shembja e rezortit Prestizh.
Ai nuk ishte një aksion për të vënë në vend ligjin dhe aq më pak për ti dhënë fund klientelizmit qeveritar. Përkundrazi, shërbeu për ti kujtuar jo vetëm Hysenbelliut por të gjithë klientelës qeveritare se në Shqipëri mbi ligjin është Maliqi, se kemi të bëjmë me një qeverisje thellësisht maliqiste.
Ndaj deklarata e Ramës që justifikoi shëmbjen e rezortit Prestizh: “Të gjitha janë të barbartë para ligjit, nuk do ketë asnjë tolerim”, është sa sarkastike aq edhe kërcënuese. Sarkastike sepse nuk mund të kesh barazi në raport me dicka që nuk ekziston, për sa kohë ligji është reduktuar tek Maliqi. Kërcënuese sepse mesazhi real është se “nuk do tolerohet ai që ha bukën e turkut dhe bën duanë e kaurrit”. Apo për ta përkthyer për brezin post-komunist “nuk mund të shijosh paranë e qeverisë dhe ti bësh fresk opozitës”.
Dhe duhet pranuar se kërcënimi pati shumë sukses. Mesazhi i shëmbjes së rezortit të Irfanit ishte sa i qartë edhe efektiv. Sikurse vinte re me të drejtë kolegu Bushati mediat tona që janë të thara për lajme injoruan bombën e tritolit që kryeministri Rama e shpërtheu në zemër të Shqipërisë. Heshtja që shoqëroi shpërthimin tronditës tregoi se ishin trembur të gjithë, media, politikanë, biznese dhe gazetarë.
Kjo është një tjetër provë se sot ashtu sikurse edhe dje vazhdojmë të qeverisemi nga Maliqi. Natyrisht Shqipëria sot ka njerëz, infrastrukturë, media dhe ndërtesa më moderne se dje. Sot për herë të parë ka një samit evropian në Tiranë, që përbën një arritje diplomatike për vendin tonë.
Por entuziazmi i kuptueshëm për samitin evropian nuk mund të fsheh faktin se maliqizmi mbetet llogjika bazë e filozofisë sonë politike, qeverisëse dhe shtet-formuese. Sot me të drejtë shumë prej nesh ndihen krenar që një samit evropian mbledh në Shqipëri shtetaret dhe shtetarët më të rëndësishëm të Evropës. Ama krenarinë e vërtetë do ta ndiejmë kur në samitet evropiane të marrin pjesë edhe shtetarë apo shtetare shqiptare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

MË TË LEXUARA

LAJMET E FUNDIT

%d bloggers like this: