Eksperti: Nevojiten më shumë mjekë për të moshuarit

Mbi 20% e popullsisë shqiptare është mbi 65 vjeç, ndërsa projeksionet demografike parashikojnë që deri në vitin 2025, të moshuarit do të jenë në shumicë, duke kaluar numrin e të rinjve, fëmijëve dhe adoleshentëve. Ekspertët e shëndetit publik theksojnë se është emergjente rritja e numrit të mjekëve geriatrë – profesionistë të specializuar për kujdesin shëndetësor të të moshuarve.
”Te të moshuarit, sëmundjet shfaqen në mënyra të ndryshme – mund të kesh pneumoni pa temperaturë. Mbivendosja e patologjive, humbja e aftësive funksionale dhe izolimi social janë ndër faktorët më të mëdhenj të riskut. Geriatri merret jo vetëm me trajtimin e sëmundjes biologjike, por edhe me jetesën sociale”, thotë Alban Ylli, ekspert i shëndetit publik.
Sipas studimeve të pjesshme në popullatë, një person mbi 65 vjeç në Shqipëri ka mesatarisht të paktën dy diagnoza, shpesh të shoqëruara me humbje të aftësive si ecja apo shikimi. Tek të moshuarit mbi 80 vjeç, kjo përqindje shkon deri në 50%, ndërsa një pjesë e madhe përballen edhe me izolim social dhe ndjenjën e vetmisë.
Ndërsa numri i të moshuarve rritet, ekspertët ngrenë alarmin se sistemi shëndetësor duhet të përshtatet dhe të investojë më shumë në trajnimin e mjekëve për kujdesin geriatrik, jo vetëm për të menaxhuar sëmundjet kronike, por edhe për të përmirësuar cilësinë e jetës së kësaj grupmoshe në rritje.