KULTURË

Epoka e re e Klajdi Thaçit/ “Porta e Shtatë”, një udhëtim drejt së ardhmes

“Porta e Shtatë”, është romani i tretë i Klajdi Thaçit, një libër distopik, që sjell një frymë moderne në panoramën e letërsisë shqiptare. 

I veçantë në stil dhe në temat që trajton, Thaçi na rikujton përmes veprës së tij, por edhe në këtë intervistë se të qenit origjinal, vetja, është në vetvete një arritje, dhe se kjo është e vetmja mënyrë për të lënë gjurmë. 

Në këtë intervistë për Lapsi.al, mësojmë më shumë rreth romanit që sapo është hedhur në treg, por edhe për procesin e shkrimit dhe botëkuptimin e një artisti të ri, për jetën dhe letërsinë.

Klajdi urime për botimin e librit të tretë.

Kësaj radhe keni vendosur t’i qaseni lexuesve me një libër jokonvencional qoftë në strukturë, por edhe në tematikë dhe stil. Libri titullohet “Porta e Shtatë”. Si lidhet ky titull me tematikën që vepra trajton?

Faleminderit për urimin dhe përcaktimet e bëra.

Ndihem i vlerësuar nga fakti që e konsideroni jokonvencional dhe e di që me këtë i referoheni qasjes, trajtimit, pasi në rrëfimet e personazheve ka histori reale, ngjarje ku kushdo mund ta gjejë veten. Sa i përket stilit dhe formës se si është përcjellë historia, ato shfaqin identitet për shkak se janë shkruar në një mënyrë mjaft spontane, pa kurrfarë përllogaritjeje. Madje edhe në momentin e dytë që e rishikoj materialin, ndryshimet janë të papërfillshme, lë thuajse çdo gjë ashtu siç ishte shkruar me frymën e parë. Për mua natyrshmëria në krijim qëndron mbi gjithçka.

Sa i përket titullit, ai prezanton qëllimin kryesor të 12 kandidatëve në roman, arritjen në “Portën e Shtatë”, si konkludim i misionit të tyre për të marrë dhe statusin e “Banorit të Dritës”.

2. Çfarë e frymëzoi krijimin e këtij libri dhe ku dallon ai nga dy të parët?

Ideja për librin ka mbërritur që dy vite para nisjes së shkrimit. Ideja fillestare ishte ajo mbledhjes së një grupi njerëzish, që përmes provave, historive, testeve të ndryshme, do të tregonin dhe për nivelin e tyre të vetëdijes, aftësinë për të nxjerrë mësime dhe për t’u përmirësuar prej tyre. Pas çdo porte, shfaqen sprova të reja, të cilat nxjerrin në pah karakteristika të personalitetit të personazheve, por dhe tregojnë predispozitën e secilit prej tyre për të nxjerrë mësimet e duhura prej çdo situate, shkëmbimi mes tyre, historie të mëparshme apo të tashme.

Të tre librat e mi i bën bashkë vetëm interesi im për të shkuar sa më thellë zbulimit të natyrës njerëzore, pikëpyetjeve më të mëdha të jetës, pavarësisht se e di që të gjitha në fund mbeten thjesht interpretime, por është një lojë që më argëton…

“Porta e Shtatë” ndryshon shumë nga dy librat e mëparshëm. Mendoj që është më futurist, i përshtatur dhe me subjektin, që i dedikohet pikërisht së ardhmes.

3. Romanet tuaja shquhen për origjinalitetin e tyre, kryesisht të orientuar drejt zhanrit të letërsisë distopike. Çfarë ju tërheq drejt temave distopike?

Kur nis të shkruaj gjëja e fundit që më intereson është zhanri i librit, pra në cilin grup do bëjë pjesë historia që do shkruaj.

Gjithçka ka ndodhur në mënyrë të rastësishme. Në përgjithësi kam një intolerancë të brendshme ndaj gjërave rutinore, shumë të dëgjuara, të ngjashme, familjare dhe të përsëritura. Instiktivisht edhe kur krijoj ndjek rrugën time, shkoj aty ku më çon intuita, pa patur modele në mendje. Dhe kjo qasje e brendshme, e natyrshme mesa duket ka bërë që dhe letërsia që shkruaj të ketë një fytyrë të vetën. Ndihem me fat për këtë dhe uroj t’i kem shërbyer një kategorie lexuesish që ashtu si unë mërziten shpejt dhe duan të shohin qasje të reja, këndvështrime ndryshe, të përballen me diçka të re si në formë, edhe në përmbajtje.

4. Si ka qenë për ju procesi i shkrimit të këtij libri? Sa kërkime ju desh të bëni për “Portën e Shtatë”?

Kërkimi më i madh ka ndodhur brenda vetes. Mjafton të ketë pak muzikë në sfond, intimitet dhe gjithçka tjetër rrjedh vetvetiu. E kam shprehur dhe në këtë roman besimin se brenda secilit prej nesh fshihet një univers për të cilin dimë fare pak. Mendja shpesh herë ngre gracka dhe na vendos brenda disa kufijve të informacionit, prej të cilave ne shpesh kemi frikë të lëvizim e të kërkojmë më shumë. Njerëzit kanë prirjen që të kërkojnë siguri, dhe shpesh është ajo ndjesi sigurie që nuk i lë të shtrihen dhe të lundrojnë në oqeanin e madh të informacionit që mbartin brenda vetes së tyre. Ne dimë shumë më shumë nga sa besojmë, dhe në kohën kur e kuptojmë këtë, thesaret nisin të zbulohen një e nga një.

Procesi i shkrimit ka qenë i larmishëm; në orë të vona të natës, herët në mëngjes, në mesditë. I larmishëm dhe sa i përket gjendjeve emocionale. E vetmja gjë konstante gjatë kohës së shkrimit ka qenë muzika, të cilën e mbaj gjithmonë në sfond, si stimul të vetëm, të domosdoshëm gjatë kohës kur shkruaj.

5. Cili është kapitulli apo fragmenti i cili rezonon më shumë me ju nga libri? Cila pjesë e librit ka qenë më e vështira dhe ajo më argëtuesja për t’u shkruar?

Diku nga fundi i librit njërit prej personazheve i shfaqet një ëndërr. Gjatë kohës që po shkruaja atë pjesë jam çuditur dhe vetë me lidhjen e elementeve dhe të gjitha ideve që po vinin spontanisht, sikur t’i kisha planifikuar dhe kërkuar me lupë. Ka patur disa raste gjatë shkrimit ku kam ndjerë emocione të forta dhe njëlloj lidhje të fortë me dimensione ku vetëm shkrimi të çon. Ndjesi që vështirë se përjetohen në çase të tjera gjatë ditës.

Procesi i shkrimit është gjithmonë argëtues. Rishikimi i materialit, ku duhet të jesh i vëmendshëm ndaj ndonjë detaji të gabuar që mund të të shpëtojë, jo dhe aq.

6. Sa i takon personazheve të librit: Me cilin nga personazhet keni më shumë lidhje dhe pse? A ka personazhe në librin tuaj që janë më të ngjashëm me ju ose me njerëzit që njihni? Cili ishte personazhi juaj i preferuar për të shkruar?

Personazhi që kam zgjedhur të fitojë në fund i bie të jetë dhe i preferuari haha. Janë dhe disa të tjerë, por nuk do them emra pasi nuk dua të jap ndonjë indicie për ecurinë e tyre në libër. Nuk e mohoj që ka ngjashmëri të tyre me mua apo njerëz të tjerë që njoh, por pjesa më e madhe mbetet një trill, i bazuar sigurisht edhe ai brenda asaj që dimë. Madje mendoj që çdo lexues do të gjej diçka të përbashkët me ndonjërin nga 12 personazhet. E kam ndeshur këtë dhe në dy librat e mëparshëm, për të cilët mjaft lexues më kanë thënë se iu është dukur sikur janë shkruar për ta. Më vjen mirë kur ma thonë këtë, sepse jam i mendimit që edhe më e madhe sesa nevoja për t’u ndier i dashur, është nevoja e njeriut për t’u ndier i kuptuar. Nëse një lexues arrin ta bësh të mos ndihet vetëm, ja ke arritur 100% qëllimit.

7. “Porta e Shtatë” vjen në treg pas dy botimeve të suksesshme: “Sfidat e një humani” dhe “Në mbretërinë e së vërtetës”. Çfarë ju frymëzoi për t’u bërë autor? Në cilën pikë vendosët të bëheshit autor dhe cila ishte rruga juaj drejt botimit?

Për t’u bërë autor siç duket e kisha ndarë mendjen herët, pasi poezitë e para i kam shkruar në një moshë ku në fakt jeta nuk duhet marrë dhe aq seriozisht e poetikisht.

Me letërsinë jam identifikuar gjithmonë. Që në gjimnaz njihesha për dedikimin e veçantë ndaj saj, por edhe për talentin. E them këtë pa kokëçarje se mos nuk dukem modest, pasi ka qenë ajo që kam ndier dhe dua të ruaj një komunikim të sinqertë me publikun, pa diplomacira.

Kur kthehem pas në kohë, në fëmijërinë e hershme, kujtoj se që në festën e abetares kam qenë “Leximi” haha. Kështuqë destinit nuk i jam shmangur asnjëherë, e dija që herët ose vonë do shkruaja një roman. Dëshira ka qenë që të ndodhte shumë më herët, por besoj se çdo gjë është bërë realitet në kohën e duhur. Nisa në moshën 21-vjeçare të shkruaja romanin tim të parë, por e kuptova se kishte diçka të nxituar, të panatyrshme në atë moment dhe ndalova. Çasti i duhur për të shkruar ngjarjen me të njëjtin titull erdhi 6 vjet më vonë, dhe këtë herë historia u shkruajt brenda tre javëve. I njëjtë ka qenë rrugëtimi dhe me dy librat e tjerë. Çdo gjë ka rrjedhur natyrshëm dhe ka ndodhur atëherë kur është dashur të ndodhë.

8. Ju keni një formim gazetaresk dhe përvoja juaj në të kaluarën është shumë e lidhur me gazetarinë? A keni qenë në gjendje të përfshini eksperiencën tuaj të mëparshme në punën/arsimimin tuaj në shkrim?

Qasja, stili dhe parimet ndryshojnë. Një shkrim gazetaresk ka të tjera kritere, edhe pse aty gjithashtu jam përpjekur të ndjek zhanre të cilat të japin dorë të lirë dhe që i shpëtojnë thatësisë apo ftohtësisë së raportimeve. Mendoj që do shkruaja njëlloj edhe po të kisha zgjedhur një profesion tjetër. Kam shkuar drejt gazetarisë prej letërsisë, kurse me këtë të fundit, lidhja ka qenë shumë e hershme.

9. Është shkrimi thirrja juaj e brendshme? A ka patur një ose disa momente kur ju e keni konstatuar këtë? Po çaste kur keni dashur të hiqni dorë?

Po, e them gjithmonë, që shkrimi më ka zgjedhur. Si adhurues i flaktë i muzikës, do të kisha zgjedhur një karrierë brenda kësaj fushe, në këndim për shembull, por mesa duket, rrugët kanë qenë të ndara. Gjatë gjithë jetës e kam konstatuar thirrjen time të brendshme për të shkruar dhe është nga të paktat gjëra që nuk e kam dyshuar kurrë.

Përveçse e kam ditur se kur nuk ka qenë koha e duhur për të shkruar, asnjëherë nuk kam menduar që të shkëputem përfundimisht prej shkrimit. Jam ndier i lodhur prej tij, duke qenë se dhe punët që kam bërë lidhen me të, por është diçka që më buron aq natyrshëm, sa nuk hyn fare në filtra ose procese dilemash. Ka çaste që nuk dua të shkruaj, por kjo nuk lidhet asnjëherë me krijimtarinë letrare, por me të shkruarin si proces në tërësi. Veçanërisht tekstet parazitare që shkëmbejmë në përditshmëri, në aplikacione si Whatsapp-i janë ato që më krijojnë më së shumti një ndjesi lodhjeje dhe konsumi.

10. Si janë pritur veprat tuaja nga lexuesit? Cila është përshtypja që keni marrë prej tyre? Ka patur ndonjë konstatim që ata kanë bërë që ka mbetur me ju apo që ju ka bërë të reflektoni mbi shkrimin tuaj në një mënyrë që vetë nuk e kishit menduar më parë? Ndonjë koment pikant që do të donit të ndanit me ne?

Janë përshtypjet e dy lexueseve që më kanë mbetur veçanërisht në mend. E një vajze që ka qenë i njëjti brez me mua në gjimnaz dhe analiza shumë e detajuar që i ka bërë të dy librave. E vlerësoj kur lexuesit marrin kohë për të analizuar librin, duke argumentuar përshtypjet e tyre dhe ndjesitë që u ka lënë.

Një mesazh tjetër, që më ka lumturuar pa masë, ka qenë i formuluar në mënyrë të tillë: Ky libër dukej sikur ishte shkruar për mua nga faqja e parë te e fundit. Truenti isha unë.

Ndihem i përmbushur dhe njëkohësisht më emocionon lidhja e lexuesve me historitë që shkruaj. Ndihem i shpërblyer kur shoh se kam bërë dikë të ndihet i parë, i kuptuar, jo vetëm. Dhe sidomos kur vë re se librat e mi i kanë motivuar dhe frymëzuar për t’u bërë njerëz më të mirë.

11. Do të doja ta mbyllja këtë intervistë me një këshillë tuajën. Si një autor i ri, bashkëkohor në letërsinë shqiptare, çfarë sugjerimi do t’i jepnit një rishtari që po mendon të shkruajë librin e tij të parë?

Këshilla ime është dhënë mes rreshtash përgjatë kësaj interviste, por nuk përtoj ta përsëris 

Një krijuesi të ri, por edhe të vjetër, do t’i kërkoja të qëndronte larg klisheve, temave të stërtrajtuara, modeleve që ka në mendje, siç mund të jenë autorët e tyre të preferuar. Lëre veten të lirë dhe besoji intuitës, zërit tënd të brendshëm, historive që ti di dhe trilleve të imagjinatës tënde, e cila të jep mundësinë e artë për të qenë autentik. Mos e krahaso veten me askënd, vetëm shkruaj ashtu si ti di, atë që ti di, në mënyrën tënde.

Mos kërko të jesh i pëlqyer dhe i pranuar. Thjesht harrohu duke shkruar. Përdore shkrimin si terapi, si një mjet shprehës të botës tënde të brendshme…Rri larg çdo ideje krahasimi dhe qëndroji besnik vetes deri në fund./Lapsi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button