Zbulohet titulli i filmit të radhës të “Game of Thrones”

Filmi i radhës i “Game of Thrones” dhe titulli i tij janë njoftuar zyrtarisht. Njoftimi u bë gjatë një prezantimi të Warner Bros në Las Vegas ku kompania zbuloi një pjesë të planit të saj filmik për vitin 2027 dhe më tej.
Do të quhet “Game of Thrones: Aegon’s Conquest”, megjithëse titulli mund të ndryshojë në të ardhmen. Është një tjetër adaptim i madh filmik i universit të krijuar nga George RR Martin përmes serisë së librave “A Song of Ice and Fire”.
Historia do të përqendrohet te Aegon I Targaryen, pushtuesi legjendar që bashkoi mbretëritë e Westeros dhe krijoi “Fronin e Hekurt”, i cili, së bashku me gratë e tij motra, Visenya dhe Rhaenys, formuan themelin e dinastisë Targaryen.
Historia e tij është e regjistruar në librin “Zjarr dhe Gjak”, i cili kronikon ngritjen dhe rënien e mbretërve të familjes. Skenari i filmit është adaptuar nga Beau Willimon, i njohur për punën e tij në “House of Cards” dhe serialin “Andor”.
Në të njëjtën kohë, “universi” i “Game of Thrones” vazhdon të zgjerohet edhe me serialin “House of the Dragon” që do të rikthehet për një sezon të tretë, ndërsa “drita jeshile” është dhënë tashmë edhe për një sezon të dytë të “A Knight of the Seven Kingdoms”.









