
Fotografia nga Irai është shpallur fituese e çmimit të parë në edicionin e 17-të të “Fokus Award Albania 2026”.
Fituesi i çmimit të parë është fotografi iranian KEYHAN MOHAMMADI , i cili është vlerësuar nga juria ndërkombëtare për punën e tij fotografike.
Edicioni i këtij viti sjell në Shqipëri fotografë dhe artistë nga dhjetëra vende të botës, përmes kategorive të ndryshme si Press & News, Life, Street, Landscape, Wild World, si dhe kategorisë tematike të këtij viti, “Frymë / Breath”.
Interesi ndërkombëtar për këtë edicion ka qenë i lartë. 560 artistë nga 52 vende të botës kanë aplikuar për të qenë pjesë e këtij eventi, duke dëshmuar shtrirjen ndërkombëtare që festivali ka krijuar ndër vite.
Këtë vit u shpallën 6 fitues në 6 kategori
Që prej themelimit në vitin 2006, “Fokus Award Albania” ka mirëpritur më shumë se 6 mijë artistë, ndërsa rreth 2 mijë e 400 autorë kanë qenë pjesë e ekspozitave dhe aktiviteteve të festivalit.






Përzgjedhja e fituesve është bërë nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga Diego Pizzi nga Italia, Nita Deda nga Kosova, Juliette Erkelens nga Holanda, Lek M. Gjeloshi nga Shqipëria dhe Linda Simeone nga Italia.
Fondi i çmimeve për këtë edicion arrin në 4 mijë euro, ndërsa programi artistik shoqërohet edhe me ekspozita dhe projekte të veçanta, që synojnë të krijojnë ura bashkëpunimi mes fotografisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.



Festivali drejtohet nga themeluesi dhe drejtori Arben Alliaj, Prof. Asc. Albes Fushasi, kurator i përgjithshëm i festivalit, si dhe Osman Demiri, këshilltar artistik.
Edicioni i 17-të i “Fokus Award Albania” e kthen edhe një herë fotografinë në një gjuhë universale, ku përmes imazhit përcillen histori, emocione dhe realitete nga vende të ndryshme të botës./ ALB365/ Xhemil Beharaj










