KULTURËTOP-NEWS

FOKUS AWARD ALBANIA 2026

Edicioni XVII i Festivalit Ndërkombëtar të Fotografisë 30 Shtator – 3 Tetor 2026 | Shkodër – Tiranë – Fier

Fokus Award Albania rikthehet me edicionin e tij të 17-të, duke sjellë në Shqipëri artistë, fotografë, kuratorë dhe profesionistë të imazhit nga vende të ndryshme të botës.

Nga 30 shtatori deri më 3 tetor 2026, Shkodra, Tirana dhe Fieri do të bëhen pjesë e një programi të gjerë ndërkombëtar, me ekspozita, prezantime artistike, takime, aktivitete kulturore dhe ceremoninë finale të ndarjes së çmimeve.

Tema qendrore e këtij edicioni është “FRYMË / BREATH”, Tema “Frymë” u propozua nga kuratorja Blerta Kambo, si një ftesë për ta vëzhguar atë që është njëkohësisht e padukshme dhe thelbësore. Fryma është akti i parë që na lidh me jetën dhe i fundit që na ndan prej saj. Është diçka që e ndajmë të gjithë, por që shpesh e vëmë re vetëm kur ajri mungon, kur trupi dobësohet, kur hapësira ngushtohet apo kur vetë ekzistenca vihet në rrezik.

Thirrja e hapur kërkonte interpretime që shkonin përtej paraqitjes së drejtpërdrejtë të frymëmarrjes. Fotografët u ftuan të reflektonin mbi mënyrën se si fryma jeton në trup, në peizazh, në marrëdhënien tonë me natyrën dhe në realitetet shoqërore e politike që përcaktojnë se kush mund të marrë frymë lirisht.

Përgjigjet ndaj thirrjes zbuluan mbi të gjitha brishtësinë e përvojës njerëzore. Në disa fotografi, fryma shfaqet poetikisht: si dritë, lëvizje, kujtesë, heshtje apo prani kalimtare. Në të tjera, ajo lidhet drejtpërdrejt me mbijetesën: me ndotjen, punën, sëmundjen, konfliktin, zhvendosjen, lodhjen fizike dhe kushtet mjedisore. Trupi dhe peizazhi shfaqen herë si strehë e herë si territore të cenuara.

Përzgjedhja lëviz ndërmjet fotografisë dokumentare, portretit, peizazhit dhe eksperimentimit vizual. Së bashku, veprat ndërtojnë një rrëfim ku frymëmarrja nuk është vetëm një akt biologjik apo individual, por një gjendje e përbashkët dhe një mënyrë për të menduar mbi kujdesin, lirinë, cenueshmërinë dhe vazhdimësinë e jetës.

Festivali drejtohet nga themeluesi dhe drejtori i tij, Arben Alliaj, menaxher Saimir Ahmeti,  Prof. Asc. Albes Fusha si kurator i pergjithshem i festivalit dhe Osman Demiri si keshilltar artistik.

Në edicionin e këtij viti kanë aplikuar 560 artistë nga 52 vende të botës, duke konfirmuar dimensionin ndërkombëtar që Fokus Award Albania ka ndërtuar ndër vite. Që nga krijimi i tij në vitin 2006, festivali ka mirëpritur mbi 6,000 artistë, ndërsa rreth 2,400 autorë kanë qenë pjesë e ekspozitave dhe aktiviteteve të tij.

Edicioni 2026 zhvillohet përmes kategorive të ndryshme të fotografisë, duke përfshirë Press & News, Life, Street, Landscape, Wild World dhe kategorinë tematike “Frymë / Breath”.

Punimet janë vlerësuar nga një juri ndërkombëtare e përbërë nga:

Diego Pizzi – Itali
Nita Deda – Kosovë
Juliette Erkelens – Holandë
Lek M. Gjeloshi – Shqipëri
Linda Simeone – Itali

Fondi i çmimeve për këtë edicion arrin në 4,000 euro, ndërsa programi përfshin gjithashtu ekspozita dhe projekte të veçanta që krijojnë ura bashkëpunimi mes fotografisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare.

Një pjesë e rëndësishme e festivalit është bashkëpunimi me IPFA – International Photography Festivals Association, rrjet ndërkombëtar që bashkon festivale fotografie nga vende të ndryshme. Në kuadër të këtij bashkëpunimi do të prezantohet edhe fituesja e përzgjedhur nga juria shqiptare e IPFA, fotografja holandeze Juliette Erkelens. E cila do te ekspozoj per artdashesin shqiptare ne daten 1 tetor ora 19:00 ne qendren Art Eksplora Vila 31, Tiranë

Programi nis më 30 shtator në Shkodër, ku në ODA Galeri prezantohet ekspozita ndërkombëtare “NO LIMITS”, realizuar në bashkëpunim shoqaten e fotagrafeve Italiane FIDIA Factory.

Më 2 tetor në Tiranë, në Galerinë FAB, do të zhvillohen aktivitete dhe ekspozita të Fokus Award Albania, mes tyre edhe ekspozita e studentëve të fotografisë, e kuruar nga Orestia Kapidani. Në kuadër të mbështetjes së brezit të ri, Fokus Award Albania do të akordojë gjithashtu një bursë që mbulon një vit akademik për studentin më të mirë të Programit të Fotografisë.

Festivali kulmon më 3 tetor 2026 në Fier, ku në Galerine e Artit dhe Teatrin “Bylis” do të zhvillohen ekspozitat e kategorive te tjea dhe ceremonia finale e ndarjes së çmimeve të Fokus Award Albania 2026.

Finalja do të sjellë së bashku artistë shqiptarë dhe ndërkombëtarë, anëtarë të jurisë, përfaqësues të institucioneve, partnerë, personalitete të artit dhe kulturës, si dhe publikun.

Në kuadër të finales do të zhvillohet gjithashtu një moment i veçantë bashkëpunimi ndërkombëtar, me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Fokus Award Albania dhe FIDIA Factory, me synim shkëmbimin e vlerave artistike dhe krijimin e projekteve të përbashkëta në të dy brigjet e Adriatikut dhe më gjerë.E cila do te shoqerohet edhe me nje ekspozite te 20 fotografeve te mirnjohur Italian ne hollin e teatrit Bylis.

Fokus Award Albania është themeluar në vitin 2006 dhe gjatë dy dekadave është shndërruar në një platformë të rëndësishme për promovimin e fotografisë bashkëkohore, dialogut kulturor dhe prezantimin ndërkombëtar të artistëve shqiptarë.

Gjithashtu ne kuader te promovimit te vlerave turistike te Shqiperise, Fookus Award Albania organizon per here te pare foto turin “Albania in Fokus” ku nje grup prej dhjete fotografesh te huaj por edhe shqiptar do te fotografojne ne qytetet, Shkoder, Kruje, Tirane, Durres, Fier me idene e pasqyrimit jashte kufijve te Shqiperise jo vetem bukurite natyrore shqiptare por edhe trashgimine kulturore, karkaterin, kontrastet e jetes dhe zhvillimit ne Shqiperi. Ky tur synon te behet nje tradite e re per festivalin dhe ai do te mbyllet me nje ekspozite te posacme ne Puglia ne pranvere te vitit te ardshem.

Edicioni XVII vazhdon këtë mision duke e kthyer fotografinë në një hapësirë takimi mes kulturave, brezave dhe mënyrave të ndryshme të të parit të botës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button