Saturday, July 27, 2024
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
HomeEKONOMIGadishulli i Karaburunit/ “Parqet eolike, 10 leje në zonë të ndaluar”

Gadishulli i Karaburunit/ “Parqet eolike, 10 leje në zonë të ndaluar”

Të paktën 10 leje janë dhënë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë nga era në Karaburun, një zonë e ndaluar për zhvillimin e këtyre projekteve energjetike. Sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë janë 5 centrale që kanë marrë miratim në parim dhe 5 centrale të tjerë kanë marrë miratim paraprak për lidhje në sistemin e transmetimit përgjatë vitit 2021, ndërkohë që kapaciteti total i instaluar për projektet e miratuar është 65 MW.

Zona e Gadishullit të Karaburunit gëzon statusin “Rezervat Natyror i Menaxhuar” e ku zhvillimi i këtyre projekteve është i ndaluar. Ndërkohë që, edhe një studim i realizuar nga vetë MIE e klasifikon Gadishullin e Karaburunit si zonë të ndaluar për ndërtimin e centraleve të prodhimit të energjisë nga era.  Studimi është porositur nga MIE dhe është mbështetur nga qeveria zvicerane, ndërkohë që u bë publik gjatë hapjes së ankandit për ndërtimin e impianteve eolike, vitin e kaluar.

Sipas dokumentit, është bërë një analizë e përgjithshme e territorit shqiptar për të treguar zonat e përshtatshme si dhe zonat e papranueshme për zhvillimin e projekteve të energjisë së erës të përcaktuara si “të kufizuara” ose “zona të ndaluara”. Një prej dimensioneve të analizuara në këtë studim është edhe ai mjedisor, përmes një grupi indikatorësh që përmbledh karakteristika dhe vlera të ndryshme mjedisore që gjenden në zonën e studimit.

Por, të paktën në 5 prej tyre, që janë: shpendët, zonat e mbrojtura, habitatet kritike, kufizimi me zonat e mbrojtura, por edhe gjeorreziqet, Gadishulli i Karaburunit përfshihet te zonat e ndaluara. “Ky studim jep në mënyrë të qartë të gjitha zonat e mbrojtura në të cilat nuk mund të ndërtohen parqet eolike”, – deklaroi ministrja Belinda Balluku gjatë prezantimit të studimit.

Ndërkaq, edhe gjatë kohës kur projektet kishin marrë vetëm Miratimin Paraprak nga MIE, ky dikaster i tha TV SCAN se “Miratimi Paraprak”, jep vetëm të drejtën për të bërë matje dhe studime më të thelluara në zonë dhe për plotësimin e gjithë dokumentacionit të nevojshëm ligjor. “Sqarojmë se projektet eolike në Karaburun janë të pajisur vetëm me Miratim Paraprak nga MIE dhe këto subjekte kanë të drejtë vetëm të bëjnë studime më të thelluara përsa i përket potencialit energjetik, që nuk përfshin asnjë punim ndërtimor.

Këto subjekte nuk do pajisen me Miratim Përfundimtar, nëse nuk paraqesin një dokumentacion mjedisor të miratuar nga institucionet përgjegjëse mjedisore në vend”,-thuhej në përgjigjen e MIE. Por,ndryshe nga këto qëndrime tashmë projektet, jo vetëm që kanë marrë Miratim Përfundimtar, por kanë avancuar në procedura, duke marrë edhe miratimet për lidhjen me rrjetin e transmetimit.

Era është një burim i pashfrytëzuar ende në vendin tonë për gjenerimin e energjisë, teksa  gati 100% e prodhimit realizohet nga hidrocentralet. Varësia e lartë nga uji bën që në periudha thatësirash të shpenzohen miliona euro për blerjen e energjisë nga importi, ndaj prej kohësh kërkohet diversifikimi i burimeve të rinovueshme për prodhimin të energjisë, ku përfshihen centralet fotovoltaike dhe ato eolike.

Por sipas ekspertëve, përveç indikimeve negative në mjedis, zhvillimi i këtyre projekteve në zona të ndaluara rrezikon krijimin e një precedenti të rrezikshëm për imazhin e energjisë së erës, që është domosdoshmëri për diversifikimin e burimeve të prodhimit të energjisë në vendin tonë./scan

POSTIME TË NGJASHME

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

- Advertisment -

NJOFTIME TË NDRYSHME

MË SHUMË LAJME