Gazetarja e Korçës denoncon kërcënimet: “Kanë nisur të prekin edhe familjarët e mi”

Gazetarja e Korçës, Iris Rezhda, ka denoncuar publikisht kërcënimet që, sipas saj, kanë nisur të shtrihen edhe ndaj familjarëve të saj, pas një incidenti të ndodhur gjatë ushtrimit të detyrës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rezhda shprehet se nuk kishte dashur ta bënte publike situatën, por është detyruar të flasë pasi, sipas saj, presioni nuk është ndalur vetëm tek ajo.
“Pas asaj që ndodhi dje gjatë ushtrimit të detyrës sime si gazetare, tashmë kërcënimet nuk janë drejtuar vetëm ndaj meje. Kanë nisur të prekin edhe familjarët e mi”, shkruan gazetarja.
Ajo thekson se përfshirja e familjes e ka bërë situatën edhe më serioze, duke bërë të ditur se bashkë me babain e saj, Refit H. Rezhda, kanë depozituar kallëzim në polici dhe kanë vënë në dijeni autoritetet për ngjarjen.
Rezhda shprehet se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga profesioni apo të heshtë përballë presioneve dhe kërcënimeve.
“Unë nuk kam frikë të bëj punën time. Por askush nuk ka të drejtë të përdorë familjen time për të më intimiduar apo për të më bërë të hesht”, deklaron ajo.
Gazetarja e Korçës e bën të qartë se presioni dhe kërcënimet nuk do të ndikojnë në vijimin e punës së saj.
“Presioni ndaj meje nuk do të më bëjë të heq dorë nga profesioni im dhe kërcënimet ndaj familjes sime nuk do të më mbyllin gojën”, shprehet Rezhda.

Në fund të reagimit të saj, ajo nënvizon se familjarët nuk duhet të përfshihen në konfliktet apo presionet që mund të lindin për shkak të ushtrimit të profesionit të gazetarit.
“Familja ime nuk është pjesë e punës sime dhe askush nuk ka të drejtë ta bëjë atë pjesë të saj!”, përfundon gazetarja.
Reagimi i gazetares
Sot kam kuptuar edhe një herë se pas çdo gazetari që qëndron përballë një kamere, ka një njeri që ndonjëherë ka nevojë edhe vetë për pak kurajë.
Prandaj dua t’ju them faleminderit nga zemra të gjithë juve që më telefonuat, më shkruat, më takuat në rrugë, më përshëndetët, më përqafuat dhe më thatë fjalë që ndoshta nuk e dini sa shumë më kanë bërë mirë. Faleminderit edhe atyre që, pa më njohur personalisht, zgjodhën të më japin mbështetjen e tyre. E vlerësoj jashtëzakonisht shumë.
Në momente të tilla kupton se nuk je vetëm!
Unë nuk zgjodha të bëhem gazetare për të bërë gjithmonë pyetje të rehatshme. Zgjodha këtë profesion për të pyetur, për të kërkuar përgjigje dhe për të bërë punën time me dinjitet. Dhe këtë do të vazhdoj ta bëj.
Nuk do të hesht. Nuk do të trembem. Nuk do të tërhiqem. Do të vazhdoj të bëj punën time, me të njëjtin profesionalizëm dhe me kokën lart!










