Greqia gati shpimet në Jon, në media hartat e kufirit të pazgjidhur me Shqipërinë

Mediat greke shkruajnë se të mërkurën në Athinë pritet të nënshkruhet marrëveshja për shpimet në “Bllokun 2” në Detin Jon, duke shënuar një hap të rëndësishëm për nisjen e kërkimeve për gaz nga konsorciumi ExxonMobil, Energean dhe HELLENiQ Energy. Projekti parashikon që shpimi i parë eksplorues të kryhet në vitin 2027, duke rikthyer aktivitetin në këtë zonë pas gati gjysmë shekulli.
Por paralelisht me këtë zhvillim, mediat greke kanë publikuar edhe hartat përkatëse të zonave të kërkimit (me të verdhë), ku bie në sy se kufiri detar në veri të “Bllokut 2” paraqitet sipas një vije të ndërprerë, që përkon me versionin grek të delimitimit me Shqipërinë.
Në këto harta, vija e ndërprerë që tregon se kufiri është i pafinalizuar, i jep efekt të plotë ishujve grekë përballë bregdetit shqiptar, duke e shtyrë kufirin drejt veriut, pavarësisht se ai mbetet ende i pazgjidhur juridikisht dhe pjesë e një procesi të pritshëm ndërkombëtar.

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vendimin e saj për marrëveshjen detare të vitit 2009 rrëzoi përdorimin e një ndarje mekanike dhe theksoi se kufiri duhet të jetë rezultat i një procesi të drejtë, jo thjesht matematik.
Siç thuhej në vendimin e Kushtetueses për kufirin: “Nuk duhej të ishte zbatuar parimi i barazlargësisë strikte… duhej zbatuar parimi i barazlargësisë i kombinuar me ekuitetin” 
Po ashtu, Gjykata vuri në dukje efektin shtrembërues të ishujve grekë në këtë ndarje duke thënë mes të tjerash se: “Ishulli i Korfuzit krijon rrethana gjeografike… në disfavor të palës shqiptare”.
Pjesë e konsorciumit që do të kryejë shpimet është kompania gjigande amerikane ExxonMobil, ku disa muaj më parë u emërua ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
Ndërsa në cermoninë e kontratës së shpimit për Bllokun 2 në Detin Jon Veriperëndimor do të marrë pjesë, veç palës greke, edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Athinë, Kimberly Guilfoyle, që pak javë më parë ishte në një takim me kryeministrin Edi Rama në Tiranë.









