Humb betejën me kancerin Drejtori i Tensionit të Lartë në Fier Gerti Bilero

Gerti Bilero, Drejtor i Tensionit të Lartë, Njësia Jugperëndim në OSSH në qarkun Fier, ka ndërruar jetë në moshën 50 vjeçare. Newsbomb.al mëson se pas një beteje të gjatë me kancerin, Gerti ka mbyllur sytë përgjithmonë këtë të mërkurë.
Familja ka konfirmuar lajmin e trishtë, duke lënë të shokuar mes dhimbjes të afërm, kolegë dhe miq të shumtë që Geri Bilero kishte bërë në rrugëtimin e tij të jetës.
I lindur në qytetin e Fierit, ai mori mësimet e para në 9 vjeçare “Andon Xoxa” dhe më pas ndoqi studimet e larta në Tiranë, në Universitetin Politeknik. Gerti u diplomua në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe kishte një karrierë të pasur me detyra si inxhinier, kryeinxhinier dhe drejtues në institucione të rëndësishme në fushën e Energjitikës.
Fierakët e njihnin Gerti Bileron si qytetar model, i dashur me të gjithë, kurse për kolegët ishte një profesionist i përkushtuar dhe gjithmonë i respektuar.
Për familjen, ishte një bashkëshort dhe baba shembullor. Gerti Bilero ishte i martuar dhe la pas bashkëshorten dhe dy fëmijët, djalin Keidi dhe vajzën Aina. Fatkeqësisht, sot ai e ka humbur betejën e gjatë me sëmundjen e rëndë, duke i lënë të gjithë mes lotësh e dhimbjes së pamasë.









